
Ministria e Brendshme të Maqedonisë sot do t’i sqaroj shkaqet e ndryshimeve në ligjin për polici, me të cilat mes tjerash policët do të fitojnë të drejtën të gjuajnë me plumba gome gjatë prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Siç njoftoi Alsat-M të shtunën, MPB-ja inicioi ndryshime ligjore me të cilat për dallim nga ato deri tani gjatë trazirave më të mëdha policia do të mund të përdorë edhe: plumba gome, paralizues elektrik, makina speciale për rend dhe qetësi publike, mjete shpërthyese piroteknike.
Mjetet e reja për detyrim tashmë hapën disa dilema, plumbat e gomës përdoren në shumë vende por thuajse gjithkund janë edhe temë e debatit, shkaku i rrezikut nga lëndimet serioze deri në vdekje. Nga ana tjetër, shok-bombat dhe makinat speciale për rendin dhe qetësinë publike edhe pse nuk ishin në ligjin e kaluar janë përdorur në terren disa herë.
Për shembull, gjatë protestave mbi aktgjykimin në rastin “Monstra” dhe në trazirat pas vrasjes së Petkovskit në Gjorçe Petrov. Profesori universitar Vlladimir Pivovarov, për Alsat M komentoi se mjetet që nuk kanë qenë të lejuara me ligj, nuk është dashur të përdoren. Por edhe me rregullimin e tyre ligjor paralajmëroi se duhet të miratohen edhe një numër i madh i akteve nënligjore me të cilat do të saktësohet kush dhe kur mund t’i përdorë këto mjete. Në të kundërtën nëse nuk ka përgjegjësi të qartë për ata që i përdorin, mund të shkaktohet shqetësim serioz dhe rrezik për qytetarët. /Telegrafi/


