Homazhe për të ndjerin fillimisht do të mbahen në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prej orës 10:00 deri në 12:00, e më pas edhe në Gjakovë, në orën 15:00, në Pallatin e Sporteve. Kurse varrimi i të ndjerit do të bëhet në ora 17:00, në varrezat e Gjakovës
Akademik, Besim Boksh ka ndërruar jetë të shtunën, ndërkaq, varrimi i të ndjerit do të bëhet të dielën, në ora 17:00, në varrezat e Gjakovës.
Me këtë rast, për humbjen e akademik Bokshit ka njoftuar edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot në Gjakovë, pas një sëmundjeje të rëndë, vdiq akademik Besim Bokshi, njëri nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi. Vdekja e Besim Bokshit është humbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, për Akademinë dhe për shkencën dhe kulturën shqiptare”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.
Besim Bokshi lindi në Gjakovë 1930. Mësimin fillor e kreu në Tiranë dhe në Gjakovë, ndërsa atë të mesëm në Gjimnazin e Prishtinës. Studimet e larta i kreu në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, për t’u kthyer në vendlindje, ku për vite me radhë punoi si profesor në gjimnazin dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës. Ka punuar në Institutin Albanologjik dhe në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet gjuhësore me rëndësi, përfshirë edhe Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972, ndërsa gjatë viteve nëntëdhjetë ka qenë i përfshirë në zhvillimet politike të asaj kohe në Kosovë. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i saj.
Vepra shkencore e Besim Bokshit përbëhet nga disa studime monografike nga fusha e morfologjisë historike të gjuhës shqipe, ku veçmas shquhen studimet e tij për fleksionin nominal, për nyjet, për pjesoren etj.
Homazhe në nderim të akademik Besim Bokshit do të mbahen në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës prej orës 10.00-12.00, ndërsa në Gjakovë, në orën 15.00 do të mbahet komemoracioni në Pallatin e Sporteve./KultPlus.com



