Thomas Tuchel ka vendosur tashmë që Mateo Kovacic do të jetë njëri prej lojtarëve të parapëlqyer të tij në Chelsea.
Pasi Kovacic e shkatërroi Newcastle Unitedin në fitoren e Chelseat 2:0 të hënën, trajneri gjerman e lartësoi kroatin i cili në moshën 26-vjeçare zotëron përvojë të vlefshme pas kohëve të kaluara në Inter dhe Real Madrid para se t’i bashkohej klubit londinez, transmeton Gazeta Express.
Në veçanti, trajneri i tij i ri ka mbetur i mahnitur me nivelin e punës në fushë nga kroati.
“E dua atë. Mund ta zgjosh në orën 03:00 dhe ai do të bëhet gati për të stërvitur në Cobham në orën 03:15”, tha Tuchel.
Kovacic i kompletoi 95.6 për qind të 91 pasimeve, më së shumti në skuadrën e tij, përfshirë katër topa të gjatë.
Ai, po ashtu, i pati tetë driblime të suksesshme dhe vrapoi 10.21 kilometra. /Gazeta Express


