Prishtina e ka fituar pjesën e parë kundër Dritës, falë një goli nga pika e bardhë që erdhi pas disa përpjekjeve nga kryeqytetasit.
Besnik Krasniqi shënoi për 1:0 nga penalltia në minutën e 38-të, duke i dhënë Prishtinës një epërsi të merituar në Stadiumin Fadil Vokrri, raporton Gazeta Express.
Skuadra e Zekirija Ramadanit e kërkoi golin qysh herët duke tentuar përmes sulmuesit të vetëm Otto John.
John ka mundur të shënonte shumë lehtë në dy raste, por dështoi ta mposhtë portierin Rexhepi edhe pse u gjet dy herë përballë tij në minutën e pestë e pastaj në minutën e 17-të.
Derisa Prishtina krijoi më shumë dhe ishte më e rrezikshme, Drita pati një pjesë të parë të qetë dhe pa mundësi të mira.
Përveç kur mbrojtja e Prishtinës gaboi në minutën e 18-të, kur e lejoi Kastriot Rexhën të vijë përballë portierit Haxho.
Megjithatë, goditja e Rexhës përfundoi pranë shtyllës së djathtë pingule.
Në fund të pjesës së parë, Jamal Arago e ndali me faull në zonë Endrit Krasniqin, duke shkaktuar penallti dhe si pasojë duke u ndëshkuar me karton të verdhë.
Nga pika e bardhë, Besnik Krasniqi e mposhti Rexhepin dhe i dha bardhekaltërve epërsinë e merituar. /Gazeta Express/



