Nëse brenda këtij viti, institucionet kosovare arrijnë ta bëjnë Ligjin për pensionimin e zyrtarëve policor, shumë prej policëve mund të dalin menjëherë në pension.
Janë mbi 1.000 zyrtarë policor që kanë kaluar të 55-at dhe nëse ligji hyn në fuqi me rekomandimet të cilat i ka bërë Sindikata e Policisë së Kosovës, atëherë ata duhet ta lënë punën.
Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës i ka thënë Gazetës Tribuna se sindikata ka propozuar që zyrtarët policor duhet të dalin në pension në moshën 55 vjeç, me 80 % të pagës bruto.
Ai ka thënë se aktualisht janë mbi 1 000 policë që kanë mbushur 55-vjet dhe nëse ligji hyn në fuqi brenda këtij viti policia rrezikon të mbetet pa rreth 1 000 zyrtarë policor.
“Do të bëhen analizat dhe në fund do të gjejmë një zgjidhje përkitazi me këtë çështje. Mund të diskutohet edhe rrotacioni, që do të thotë jo menjëherë të gjitha ata zyrtarë policor të dalin në pension sepse do të paraqiste një problem të madh”, ka thënë Tasholli.
Ministria e Punëve të Brendshme brenda këtij viti duhet të procedoi projektligjin për pensionimin e zyrtarëve Policor të Kosovës.
Data 31 qershor është caktuar si e fundit kur duhet të procedohet ky projektligj i shumë pritur nga policia. /Telegrafi/


