Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Lipjanit është mbajtur Akademi Përkujtimore, në nderim të 24-të vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Lipjanit.
Qytetarë të shumtë morën pjesë në këtë akademi për të nderuar të rënët, duke përkujtuar kështu 24-të vjetorin e terrorit dhe masakrave të forcave serbe në komunën tonë.
Në këtë rast, Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në fjalën e tij të rastit tha se pashmangshëm në raste tilla në kujtesën tonë kthehen ngjarjet e trishta të para 24 viteve kur Sllovia, Ribari i Vogel, Hallaqi i Vogël, e të gjithë fshatrat e lagjet tona po sulmoheshin nga barbaret ushtarak, militarë e paramilitarë serb duke kryer masakra shtazarake mbi qytetarët të komunës sonë.
Andaj nuk mund ti shmangemi rikujtimit të atyre ditëve të Prillit, të Prillit të përgjakur kur dhuna, krisma e vrasje, dëbimi masiv me dhunë nga shtëpitë tona, kur era e shkatërrimeve i mbuloi gjithë fshatrat tona e në veçanti fshatrat, Sllovi, Ribar i Vogël dhe Hallaq i Vogël, ku barbarisht u pushkatuan fëmijë, gra, e të moshuar, u plagosën e u maltretuan dhe u dëbuan masovisht nga fshatrat tona dhe shtëpitë tona.
“ Data si kjo përveç kujtimit të së kaluarës e nderimit të të gjithë të rënëve duhet të na shërbej si referencë, për punë të mira, për të ruajtur me fanatizëm vlerat sublime të lirisë e të gjakut të derdhur për shtet, ka thënë Kryetari Imri Ahmeti, duke shtuar se ne kemi arritur t’i realizojmë idealet e tyre vetëm atëherë kur arrijmë ta ndërtojmë vendin duke shënuar progres, kur jeta e gjithsecilit është përmirësuar dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve pa dallim ka shënuar progres, ka thënë ndër të tjera Kryetari Ahmeti.
Ai ka thënë se me e pakta që mundë të bëjmë për dëshmorët e martirët janë shënimi i ditëve dhe datave si kjo, sepse asnjëherë nuk kemi bërë mjaftueshëm ndaj gjakut të derdhur për liri e pavarësi i cili na obligon përherë të gjithëve pa dallim për të ruajtur atdheun tonë për të dashur e vlerësuar të kaluarën tonë dhe për ta ndërtuar e zhvilluar vendin tonë.
Kryetari Ahmeti më pastaj ka theksuar se vendi ynë sot është shtet i pavarur e Sovran. Sot ende ka nevojë për kontributin e të gjithë neve, ne duhet ti zgjedhim problemet tona, duhet ta izolojmë të keqen e ti japim shans të mirës, ta heqim xhelozin e inatet, ta vendosim shtetin para së gjithave, sot dhe asnjëherë askush nuk ka drejt të shkel mbi amanetin as gjakun e derdhur për liri e shtetësi.
“Edhe sot pas 24 viteve vendi ynë po përballet me sfida siç është dialogu, Gjykata Speciale, migrimi i të rinjve, sfida e zhvillimit ekonomik dhe integrimit, sfida e raportit të vendit tonë me aleatet ndërkombëtar, janë sfida për të cilat kërkohet zgjidhje e përbashkët, e mençur dhe afatgjate, për të mos i lënduar themelet e shtetit tonë, ka thënë Kryetari Ahmeti, duke shtuar se qasja e gjithë neve duhet të jetë përtej individuales e përtej politikës ditore, për të tejkaluar çdo sfidë më të cilat përballet vendi ynë.
Kryetari Ahmeti në fund të fjalimit ka potencuar se varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Sllovi, Ribari të Vogël, Hallaq të Vogël dhe gjithë varrezat tjera në territorin e komunës sonë e me gjerë, atje ku pushojnë përjetësisht martirët e dëshmorët tanë, janë vende të shenjta për ne, janë vendet e shenjta për qytetaret e komunës sonë e me gjerë, janë dhe do të mbetën udhërrëfyesi ynë i përjetshëm, njofton Komuna.
Në emër të familjeve kanë folur Feim Ismajli dhe Feriz Gerbeshi.
Pas përfundimit të Akademisë Përkujtimore familjaret e dëshmorëve dhe martirëve e të pranishme së bashku me kryetarin e Komunës dhe përfaqësuesit institucional kanë pare nga afër ekspozitën me fotografi të vendeve ku janë kryer masakrat nga gjenocidi serb në Komune e Lipjanit.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme përfaqësuesit nga Komuna e Lipjanit të prirë nga Kryetari Imri Ahmeti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule në kompleksin memorial në Sllovi, pastaj kanë vazhduar me homazhe edhe në fshatrat Akllap dhe Tërbofc.



