MASHTI do t’i ndajë nga 80 euro për blerjen e teksteve shkollore, aplikimi për subvencionim nga nesër

PUBLIKUAR

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se nga nesër prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.

Ajo ka bërë të ditur se mjetet do të dalin në xhirollogari që nga fillimi i javës së ardhshme.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Nagavci ka thënë se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

“Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka njoftuar ministrja.

Ajo ka shtuar se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër, ndërsa çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, “ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”.

Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.

Me propozimin për ndryshimin e kësaj praktike ka dalë të hënën ministrja Arbërie Nagavci.

Ajo ka thënë se institucioni që drejton, ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Për rrjedhojë, ka thënë Nagavci, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.

Paralajmërimi i ministrsë se tekstet shkollore duhet të blihen nga prindërit e nxënësve me rimbursim, ka shkaktuar kritika nga opozita, thirrje për dorëheqje dhe frikë për mbarëvajtjen e procesit mësimor. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Gjenden dhe sekuestrohen 144 fishekë të vjetër në një fushë të hapur, në Gjakovë

Rreth 144 fishekë të vjetër janë gjetur në një fushë të hapur në Gjakovë. Sipas...

Theret me thikë një person në Pejë, arrestohet i dyshuari

Një person është therur me thikë të dielën në Pejë. Sipas raportit të policisë,...

PDK thotë se Bedri Hamza jep dorëheqje pasi të shpallen zgjedhjet në parti dhe nuk rikandidon

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza do të largohet nga pozita e...