Maqedonia edhe pse sërish ka siguruar rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësim, megjithatë janë renditur një varg kritikash dhe shqetësimesh. Komisioni Evropian (KE) publikoi Raportin e progresit për Maqedoninë, ku për herë të gjashtë përsëritet rekomandimi për nisjen e negociatave për anëtarësim, por shprehen kritika ndaj Qeverisë dhe procesin e integrimit, duke nënvizuar se FYROM është në “qorrsokak”.
Ja se çfarë thuhet në rekomandimin e këtij viti, që u lexua nga evrokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule. “Duke pasur parasysh progresin kulumativ që vendi ka bërë, Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë plotësuar kriteret politik dhe se mbetet rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësim, mirëpo shprehim keqardhje se janë bërë hapa prapa gjatë viteve të fundit”, thuhet në tekstin e raportit. Komisioni Evropian kërkon nga pushteti që të ndërmarrë aksion vendimtar për të zgjidhur politizimin e skajshëm dhe mungesën e pavarësisë së gjyqësorit si dhe lirinë e shprehjes, si mundësi e vetme që rekomandimi të mbetet në fuqi edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Raporti nënvizon se janë bërë disa hapa prapa në planin e reformave në disa fusha të caktuara dhe të ndjeshme. “Besimi tek institucionet shtetërore gradualisht po humbet. Po rritet edhe shqetësimi për drejtësinë selektive. Liria e mediave vazhdon të përkeqësohet”, thuhet në raportin e progresit, duke shtuar se gjatë vitit të kaluar është rritur politizimi i institucioneve shtetërore, kontrolli i qeverisë ndaj mediave si dhe zgjedhjeve.
Sipas raportit, kriza e fundit politike midis pushtetit dhe opozitës tregon se interesat partiake janë më të rëndësishme se interesat kombëtare. ”Kjo është një përgjegjësi edhe e pushtetit, por edhe e opozitës, që duhet të sigurojnë debat politik para se gjithash kjo të zhvillohet në Parlament dhe të krijohen kushte për funksionimin e mirë të tyre”, thekson KE. Më tej nënvizohet se Qeveria duhet ti sigurojë opozitës mundësi për plotësimin e funksionimit të kontrollit demokratik, ndërsa opozita në mënyrë konstruktive të jetë pjesë e procesit demokratik.
Komisioni Evropian ndalet edhe tek çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike. “Lidhur me raportet ndëretnike, duhet të ndërtohet mirëbesimi midis bashkësive etnike. Revizioni i Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë i kompletuar dhe të plotësohen rekomandimet e bëra”, thekson raporti.
Sa i përket kontestit të emrit, Brukseli vlerëson se duhet të ndërmerren hapa vendimtar për të zgjidhur këtë problem me Greqinë. “Negociatat e pasuksesshme për këtë proces po zgjasin mbi 19 vite dhe se ato kanë ndikimin edhe në aspiratat evropiane të këtij vendi. Andaj është i nevojshëm një aksion vendimtar si dhe përkrahje më aktive nga ana e liderëve të BE-së”, nënvizon raporti, duke kërkuar nga vendet anëtare që të ndihmojnë në këtë proces.
Raporti i progresit pritet që sot pasdite ti dorëzohet kryeministrit Nikola Gruevski dhe presidentit George Ivanov nga ana e ambasadorit të BE-së në Shkup, Aivo Orav. /Telegrafi/



