Policia me muaj kishte mbledhur dëshmi kundër lypësve të rrejshëm. Në Salzburg të Austrisë, ata kanë zbuluar mashtruesit rumunë, që si lypsa fitonin deri në 2000 euro në muaj.
Njësitet speciale në detyrë të fshehtë kanë arrestuar 11 rumunë të një grupi të lypësve, të cilët gjatë ditës vepronin si persona me aftësi të kufizuara, e në “fund të orarit” shëtisnin jo vetëm si të shëndosh, po duke vozitur makina e duke biseduar në celularë të shtrenjtë.
Këta mashtrues e donin Salzburgun, pasi “puna” këtu u doli më e mirë se në qytetet tjera evropiane, raporton TZ, transmeton Telegrafi.
“Sigurisht që ka lypës që kërkojnë, të detyruar nga varfëria. Por, çdo herë e më shpesh hasim në mashtrues, që fitojnë nga zemërmirësia dhe dhembshuria e njerëzve”, thotë inspektori Franz Ruf.
Gjashtë mashtruesit luanin invalidët, për të nxitur dhembjen e qytetarëve dhe turistëve, ndërsa pesë të tjerë ndihmonin që të mblidheshin paratë e imëta për në bankë apo për t’i dërguar “aktorët” nga njëri vend te tjetri. Natën e kalonin në zonat pushuese në rrethinën e qytetit, ndërsa kishin mashtruar gjithë Evropën, pasi për ta u gjetën dosjet e policisë.
Policia zbuloi edhe një sllovak (52) në Salzburg i cili katër persona i ka detyruar të lypnin e pastaj ua merrte paratë. Bashkëvendësve të tij ua kishte marrë pasaportat, ndërsa si robër i mbante e në fund ua jepte vetëm dy shujta ushqimi në ditë. Ky sllovak kështu kishte fituar 63 mijë euro. /Telegrafi/


