Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se sot, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës, Komuna do të duhej të zhvillonte aktivitete të organizuara dinjitoze.
Sipas LDK-së, kjo nuk ndodhi sepse Komuna nuk pati organizim sipas ndonjë programi tradicional për manifestim.
“Grupi konsideron se ky dështim doli në pah kur nuk u pa të jetë shënuar kurrëfarë programi për manifestim në faqen e Komunës së Prishtinës. Tradicionalisht, bazuar në bashkëpunimin e ngushtë në mes të Komunës së Prishtinës dhe Shoqatave të dala nga lufta, aktivitetet manifestuese për nder të kësaj dite qenë zhvilluar në bashkëpunim dhe pa përjashtim nga të gjithë pjesëmarrësit e kryeqytetit, nga të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit si dhe nga pjesa politike dhe e administratës së Komunës”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Telegrafi.
“Është e padinjitetshme që sot, në këtë ditë të shënuar për dëshmorët dhe lirinë e vendit tonë, kryetari i Komunës, përkatësisht nënkryetari i VV, z. Shpend Ahmeti, më shumë të merret me qërim hesapesh politike me bashkëpartiakët e tij, se kush do të jetë kandidat për poste politike nga radhët e VV, se sa të merret institucionalisht me manifestimin e mundshëm për nder të kësaj dite të rëndësishme për lirinë dhe shtetin tonë”.
Më tej në reagim thuhet se “Grupet politike, së paku anëtarët e Kuvendit nga LDK, nuk patën asnjë ftesë zyrtare për realizimin e ndonjë aktiviteteti të shënuar nga Komuna. Është e habitshme se si po ndodhte që pas 17 vjetëve Komuna të mos organizojë asnjë aktivitet zyrtar për Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës. Grupi konsideron se asukush nuk ka të drejtë dhe të përpiqet të shmangë mundësinë për organizimin e aktiviteteve në ditët më të rëndësishme, që shënojnë historinë e lavdishme të vendit tonë-Republikës së Kosovës”.
“Ndonëse janë zhvilluar aktivitete të ndara, sot dëshmorët e kombit u nderuan nga shumë qytetarë dhe anëtarë të LDK-së. U nderuan ashtu siç meritojnë, sot e përherë”, përfundon reagimi i LDK-së./Telegrafi/


