Kryetari Ahmeti: “Zotohem që do të vazhdojë të angazhohem fortë e me përgjegjësi të zhvillojmë vendin tonë, komunën tonë”
Sot në seancën e 16-të të Kuvendit Komunal, Kryetari i Komunës së Lipjanit, z.Imri Ahmeti ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2022.
Në prezantimin e këtij raporti vjetor, kryetari Ahmeti ka ritheksuar se viti që lamë pas ishte një ndër më të vështirat që kaluam si vend, viti pas-pandemik dhe viti ku inflacioni dhe krizat e vazhdueshme ekonomike e socio-ekonomike gjithesesi kanë reflektuar e po vazhdojnë të reflektojnë edhe në punën e ekzekutivit komunal.
Pavarësisht kësaj, kreu lipjanas tha se viti 2022 është përmbyllur me sukses, ashtu siç edhe ishte e planifikuar me planin e punës.
“Jam i kënaqur me rezultatin e arritur nga Komuna e Lipjanit, ku performanca e mirë në zbatim të ligjit dhe transparencës e llogaridhënies, ka bërë që Lipjani të renditet si komuna e dytë në nivel vendi dhe nga kjo renditje kemi fituar grant në vlerë prej mbi 1 milion euro (1,021,108.38). Një ashtu komuna jonë është përfituese edhe e 422,351.00 eurove, donacionit nga GIZ – Gjerman, për skemën “Gara për Mjedis të Pastër”. Komuna e Lipjanit në vitin 2022 edhe zyrtarisht është shpallur fituese e Çmimit Evropian për Ekselencë në Qeverisje (ELoGE), organizuar nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale – ALDA, nga Instituti GAP tek “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave”, Komuna e Lipjanit renditet e para për transparencë Buxhetore dhe po ashtu komuna jonë është renditur e dyta, me vetëm një pikë më pak se vendi i parë në “Transparometrin Komunal” të publikuar nga KDI”, është shprehur kryetari Ahmeti.
Ai po ashtu ka theksuar se edhe në vitin që lamë pas e hyra vetanake në komunën tonë shënon progres të jashtëzakonshëm duke tejkaluar planifikimin buxhetor, ku deri në fund të këtij viti në total e hyra vetanake ka kaluar planifikimin fillestar për 23.79%. Kurse totali i tejkalimit me donacione është rreth 39%.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, kryetari Imri Ahmeti ka shpalosur të gjitha të arriturat e Komunës së Lipjanit në vitin 2022, projektet e realizuara dhe sfidat me të cilat është përballur ekzekutivi komunal gjatë kësaj periudhe raportuese.
Në fund Kryetari Ahmeti ka falenderuar të gjithë qytetarët e Lipjanit, partnerët vendor e ndërkombëtar, për kontributet e përbashkëta gjatë vitit që lamë pas si dhe i ka ftuar të gjithë që të angazhohen së bashku në tejkalimin e sfidave dhe vështirësive, në dobi të progresit dhe zhvillimit të gjithanshëm të komunës sonë.
“Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që patëm Lipjani po rritet, Komuna jonë mbetet komuna me progres të jashtëzakonshëm me trende të rritjes, Lipjani mbetet konkurent i fortë në zhvillimin e përgjithshëm shoqërorë. Unë zotohem që do të vazhdojë të angazhohem fortë e me përgjegjësi të zhvillojmë vendin tonë, komunën tonë. Mbështetja juaj është determinuese e sukseseve tona” tha kryetari Ahmeti.
Ky raport për periudhen janar – dhjetor 2022, paraqet punën dhe aktivitetet e realizuara nga Kryetari i Komunës dhe qeverisja lokale. Raporti është në përputhje me kërkesat që dalin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale për raportim të Kryetarit të Komunës në Kuvendin Komunal.


