Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim fermerët e komunës, me të cilët janë nënshkruar kontratat për subvencionimin e çdo litri të qumështit të prodhuar.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti theksoi se kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për punën, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre të përditshme.
“Ky është viti i dytë radhazi që mbështesim blegtorët përmes subvencioneve për çdo litër qumështi dhe tashmë është i dukshëm një trend pozitiv, është rritur si numri i fermerëve që angazhohen në këtë sektor, ashtu edhe sasia e prodhimit të qumështit”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ai shtoi se përveç subvencioneve për qumështin, Komuna do të vazhdojë me buxhetimin dhe mbështetjen edhe për sektorë të tjerë të bujqësisë dhe blegtorisë, meqë zhvillimi rural konsiderohet një shtyllë kyçe për mirëqenien dhe ekonominë lokale.
Gjatë takimit, kryetari Ahmeti bashkëbisedoi me fermerët për sfidat që ata përballojnë çdo ditë dhe shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur më tej me pajisje ndihmëse dhe mjete konkrete që lehtësojnë punën dhe rrisin efikasitetin në sektorin e blegtorisë.
Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar të vazhdojë me politika zhvillimore dhe mbështetje të qëndrueshme për fermerët dhe për bujqësinë në përgjithësi.







