Kosova bëhet me databazë të trashëgimisë kulturore

PUBLIKUAR

timthumb

Në vitin 2008 ka filluar projekti për krijimin e databazës për trashëgimi kulturore të Kosovës, ndërsa projekti është finalizuar vetëm tani, duke bërë kështu që për herë të parë në Republikën e Kosovës të këtë databazë të trashëgimisë kulturore. Databaza përbëhet nga 267 monumente, prej të cilave 185 janë trashëgimi arkitekturore, janë 52 lokalitete arkeologjike dhe 30 objekte trashëgimi të luajtshme.

Projekti është përkrahur nga Ambasada e Britanisë së Madhe me 200 mijë euro. Databaza e lansuar dje (e martë) është hartuar mbi trashëgimin kulturore të rajonit të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt është në tri gjuhë, shqipe, angleze dhe atë serbe, ndërsa përmes hartës mund të identifikohen se ku gjenden monumentet kulturore.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, ka thënë se databaza e trashëgimisë kulturore përveç që është një mundësi informimi për monumentet historike, kulturore, fetare, për traditat, zakonet, zejet dhe veshjet, është një mundësi më shumë që qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota ta njohin më mirë trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Unë jam i vetëdijshëm se një proces i tillë është dashur të përfundojë vite më parë, por gjithsesi mendoj që e rëndësishme është që ne kemi punuar kujdesshëm që të bëjmë një punë të mirë dhe të sigurojmë një vazhdimësi të kësaj pune edhe në të ardhmen”, është shprehur Krasniqi, derisa ka thënë se ky është vetëm fillimi, sepse databaza duhet të pasurohet dhe të promovohet më shumë.

“Trashëgimia kulturore, diversiteti kulturor i vendit tonë gjithmonë do të jetë pikë afruese në mes nesh, dhe në asnjë mënyrë një pikë e ndarjes siç ka qenë në të kaluarën”, ka thënë më tej ministri Krasniqi, ka shtuar se databaza nuk është më vetëm e institucioneve, por e gjithë qytetarëve, pasi siç ka thënë ai, qytetarët përmes informatave të tyre, përmes promovimeve, kanë ndihmuar shumë që trashëgimia kulturore si një vlerë unike të njihet nga e gjithë bota.

“Kosova ka nevojë, institucionet qendrore, ato lokale dhe vetë shoqëria që të kuptojnë rëndësinë që ka trashëgimia kulturore për ne si një aspekt i identitetit, diversitetit, dhe si një mundësi e zhvillimit ekonomik, pasi trashëgimia kulturore në Kosovë duhet të jetë edhe një ofertë turistike”, thotë Memli Krasniqi.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë se është pritur gjatë për lansimin e databazës së trashëgimisë kulturore, derisa ka shtuar se databaza është detyrim ligjor. “Deri më këtu ka qenë një punë shumë e gjatë, shumë e mundimshme, nëse e marrim parasysh evidentimin e të gjitha ndërtesave të cilat sot kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe paraprakisht me mbështetjen e madhe të Ministrisë”, ka thënë Aliu, derisa është shprehur se kanë filluar rishikimin e listës që ka qenë para luftës. Sipas saj, kjo listë është shikuar dhe është vlerësuar për herë të parë nga ministri në vitin 2011.

“Ne vitin 2011 lista përmbante 930 asete, derisa në vitin 2012 përmbante 1181 asete, ndërsa sot kemi 1428 asete të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë trashëgiminë arkitekturore, arkeologjike dhe të luajtshme”, ka thënë Vjollca Aliu, derisa është zotuar se kjo databaza e trashëgimisë kulturore do të plotësohet në vazhdimësi.

Ian Cliff, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, thotë se databaza është një projekt i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore. Ai shprehet se është e rëndësishme për Kosovën që të tek një ueb-faqe të tillë.

“Kur më kanë vizituar shumë njerëz janë mahnitur me atë çfarë kanë parë këtu, një përzierje të trashëgimisë kulturore dhe kjo databazë është një dritare publike nëpër botë”, ka thënë Cliff. Ai thotë se qëllimi i kontributit të tyre është se kanë dhënë mjetet që të menaxhojnë më shumë trashëgiminë kulturore dhe është varur nga Ministria sesa është e interesuar që t’i përdorë këto mjete që kanë ardhur nga Britania.

“Databaza ka qenë e gatshme qysh në vitin 2008, por ka qenë e varur nga kosovarët që ta bëjnë të qasshme për publikun. Por ky projekt është i rëndësishëm edhe për vetë Ministrinë pasi aty dalin punët që i bëjnë ata për trashëgiminë”, është shprehur ambasadori Cliff, i cili ka falënderuar mediat që kanë shkruar për këtë projekt dhe kanë bërë presion që ta shtyjnë procesin përpara.

Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, ka thënë se është dashur më herët që të lansohet databaza për trashëgiminë kulturore.

“Është një punë që do qasje të përhershme të të gjitha institucioneve, duhet të plotësohet gjithë kohën. Ky është vetëm fillimi, unë besoj që çdo vit Ministria në bazë të programit do të angazhojë institucionet për pasurimin e databazës”, ka thënë Rexha.

Për themelimin e databazës së trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka pasur mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, organizatës joqeveritare “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” dhe organizatës “Kaktus”.

SHIKO MË SHUMË

Mos e humb mundësinë përmes AD Company

AD Company kujdeset që qdo detaj të dallohet nga të tjerët, me punë dhe...

Shukri Buja nga Magura “Fitorja është e jona”

Shukri Buja ka mbajtur takim në Magure. "Kjo mbështetje e fuqishme dëshmon qartë se banorët...

Shukri Buja “ndez motorët” Gadimja me pritje madhështore

Kandidati i PDK-së në Lipjan Shukri Buja ka mbajtur takim në Gadime. Buja nga Gadmija...