Koreja Veriore ka paralajmëruar dje në mbrëmje se lufta bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment, gjersa Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore nisen stërvitjet më të mëdha të përbashkëta detare pranë bregdeteve lindore dhe perëndimore të Gadishullit Korean.
Zv/ambasadori i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, tha mbrëmë në Komitetin e OKB-së për Çarmatim se vendi i tij është bërë një fuqi e kompletuar bërthamore, si dhe paralajmëroi se e tërë SHBA-ja është brenda diapazonit qitës së vendit të tij, transmeton Express.
Ai e ka quajtur Korenë Veriore shtet të përgjegjshëm bërthamor.
“Përderisa një vend nuk merr pjesë në veprimet ushtarake të SHBA-së kundër Koresë Veriore, ne nuk do të përdorim apo ta kërcënojmë me armë bërthamore atë vend”, ka thënë Kim.
Këto komente janë të ngjashme me paralajmërimet tjera që Koreja Veriore i ka bërë në disa muajt e fundit teksa tensionet rriten mes vendit të izoluar dhe Administratës së presidentit Donald Trump.


