Testimi i raketës balistike nga Koreja Veriore ishte akt legjitim për vetëmbrojtje në bazë të ligjit ndërkombëtar, ka thënë sot diplomati i Veriut në një konferencë të OKB-së për çarmatim, Ju Yong Choi.
“Koreja veriore do t’i forcojë kapacitetet e veta të mbrojtjes për aq gjatë sa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me politika armiqësore ndaj saj dhe përbëjnë kërcënime bërthamore dhe shtantazhojnë,” ka thënë Yong Choi, transmeton Express.
Dje, Këshilli i Sigurimit të OKB-së njëzëri e dënoi testimit e raketës balistike nga Koreja Veriore të dielën në mëngjes si dhe paralajmëroi për sanksione të reja ndaj vendit të izoluar.
Testimet e vazhdueshme të raketave nga Veriu gjatë këtij vitit – edhe pse jo të gjitha prej tyre të suksesshme por që shkelen sanksionet e OKB-së – kanë shkaktuar alarm ndërkombëtar dhe i kanë rritur tensionet me SHBA-në.
Koreja Veriore është e njohur për zhvillimin e armëve bërthamore – ka kryer pesë testime bërthamore – dhe raketave që janë në gjendje ta godasin cakun me ato armë bërthamore. Të dyja bien në kundërshtim me sanksionet e OKB-së.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse Veriu e ka aftësinë për të zhvilluar armë që janë mjaftueshëm të vogla për t’u montuar në raketë, dhe asnjëherë nuk e ka testuar ndonjë raketë me rreze të gjatë veprimi ICBM, e cila mund ta arrijë, për shembull, SHBA-në./Express/


