Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë sot ka pritur në takim një ekip nga USAID të udhëhequr nga Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje, James Evans Butler, të cilët kanë shpalosur programin dhe objektivat e projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës”, njofton Komuna.
Me këtë rast kryetari Ahmeti tha se e mirëpret këtë projekt dhe ka falenderuar USAID që ka përzgjedhur Komunën e Lipjanit. Gjatë takimit ai po ashtu ka nënshkruar edhe zotimin e komunës për bashkëpunim me USAID për periudhën e ardhshme 5 vjeqare (2022 – 2027).
“Ndihem mirë që jemi në mesin e tetë komunave dhe patjetër se Komuna e Lipjanit do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e objektivave që ka projekti. Për ne nuk janë të rëndësishme vetëm projektet në vlerë monetare por edhe projektet që krijojnë standarde të qëndrueshme dhe që ndihmojnë komunën në ndërtimin e kapaciteteve tona humane për një periudhë afatgjatë”, është shprehur kryetari Ahmeti.
Ndërsa ekipa nga USAID kanë njoftuar kryetarin se Lipjanit është në mesin e komunave të para ku do të filloj projekti. Ata thanë se Komuna e Lipjanit është përzgjedhur në bazë të disa kritereve dhe së bashku me komunat tjera ku do të implementohet projekti, do të shërbejnë si model për komunat në nivel vendi.
“Jemi shumë të gëzuar që po fillojmë këtë aktivitet të ri me Komunën e Lipjanit dhe po fillojmë të bashkëpunojmë sërish. Bazuar në bashkëpunimet e mëhershme, ne e dimë se do të kemi bashkëpunim të mirëfilltë me ju dhe pa dyshim presim suksese në projektin tonë të përbashkët”, tha Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje, Butler.
Katër objektivat e këtij aktiviteti janë:
1. Institucionet qeveritare për llogaridhenie ofrojnë mbikëqyrje financiare më efektive dhe më të koordinuar.
2. Institucionet rrisin përdorimin e praktikave të mira në planifikimin e buxhetit, prokurimin publik dhe menaxhimin e kontratave.
3. Insitucionet avancojnë normat dhe praktikat që mbështesin auditimin e brendshëm dhe llogaridhënien.
4. Shoqëria civile, mediat dhe sektori privat përmirësojnë integritetin e akterëve të sektorit publik dhe privat në prokurimin publik.


