Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka mbetur tejet i zhgënjyer me barazimin e skuadrës së tij kundër Cadiz, pasi katalonasit nuk e shfrytëzuan humbjen e liderit të La Ligës, Atletico Madrid, për t’iu afruar kreut të tabelës.
Barcelona e priti Cadizin në Camp Nou të dielën, e vetëdijshme se me një fitore të mundshme do ta zvogëlonte në vetëm gjashtë pikë epërsinë me liderin pas humbjes së Atleticos kundër Levantes një ditë më parë, transmeton Gazeta Express.
Por skuadra e Koeman dështoi ta ruante deri në fund epërsinë e krijuar nga Leo Messi nga penalltia, duke pranuar gol në çastet e fundit nga pika e bardhë, pas penalltisë së shkaktuar nga Clement Lenglet.
Ky barazim nënkupton se Barça ngel tetë pikë prapa Atleticos tani.
Koeman thotë se dështimi i së dielës e ka dëshpëruar më shumë sesa humbja kundër PSG-së 4:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
“Është zhgënjyese, sepse ndeshje të tilla duhet të fitohen dhe nuk e bëmë një gjë të tillë sot”, tha Koeman.
E humbëm një mundësi të madhe pas disfatës së Atletico Madridit. Është zhgënjim i madh. Jam shumë i zhgënjyer, më shumë sesa të martën e kaluar (kur Barça u mund nga PSG-ja)”, shtoi ai. /Gazeta Express/


