KMDLNj me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se e paraburgosura me inicialet B.Z, e Qendrës Korrektuese në Lipjan ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të sëmundjes, shkruan Gazeta Express.
Gazeta Express ka raportuar më datën 21.08.2016 për“Vdekje e dyshimtë e një të burgosure në QKUK”që konsiderohej për momentin ‘e dyshimtë’, por sipas raportit shkak i vdekjes është sëmundja e pashërueshme që ka patur e burgosura në fjalë.
Në vazhdim po ju sjellim komunikatën e plotë:
Vdekje për shkak të sëmundjes, jo në rrethana të dyshimta!
KMDLNj në Prishtinë, në kuadër të mandatit për monitorimin e institucioneve ku mbahen personat e privuar nga liria, i përkrahur nga KFOS bënë vizita të rregullta monitoruese për të vërtetuar se a respektohen të drejtat e njeriut të të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut konstaton se Shërbimi Korrektues i Kosovës për katësisht Q. K në Lipjan ka ndërmarrë të gjitha masat,
në kuadër të mundësive ekzistuese për trajtimin shëndetësor të të paraburgosurës B. Z mirëpo kjo nuk ka mjaftuar që ajo ta merrë trajtimin dhe shërimin e duhur. KMDLNj edhe më parë ka rekomaduar që për personat në moshë të shtyrë, të sëmurë rëndë e sidomos për ata me sëmundje të pashërueshme, shteti duhet të dëshmojë një akt mëshire duke ua mundësuar që së paku të vdesin të rrethin familjar dhe në kushte më të dinjitetshme. Nëse ekipi mjekësor konstaton që një i privuar nga liria ka sëmundje të pashërueshme dhe pak kohë për jetë atëherë gjykata kompetente (për të paraburgosurit) dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (për të dënuar) duhet të reagojë dhe veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria e jo që të lejojnë që ata të vdesin në burg , pas së cilave lindin shumë dyshime për shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.
Nuk është hera e parë që një person i privuar nga liria vdes në burg për shkak të sëmundjes së pashërueshme pas së cilave lindin dyshime dhe dilema për trajtim shëndetësorë të personave të privuar nga liria.
KMDLNj kërkon nga Institucionet përkatëse të tregohen më të përgjegjshme duke ua kujtuar se në raste të veçanta, e për rastin B. Z . mendon se është i tillë, të drejtat e njeriut janë mbi një vendim të gjykatës aq më parë që sidomos për këto raste edhe Ligji zbatohet në përputhje dhe në favor të të drejtave të njeriut.