Gjashtë karrige qenë vendosur në skenën e Teatrit Kombëtar, duke u lidhur simbolikisht me titullin e shfaqjes. Por “gjashtë personat”, ishin gazetarët, të cilët në vend të autorit, kërkonin informacione rreth ngjarjes për shfaqjen që u premtua se do të bëjë revolucion në teatër. Akterët kryesorë të shfaqjes kishin zënë vendin e publikut, duke bërë kështu një rrotullim të të zakonshmes. Ky rotacion u arsyetua me konceptin e shfaqjes, e cila ndërlidh iluzionin dhe realitetin.
Skenari i paraqitjes para gazetarëve një ditë para shfaqjes “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, me regjisor Orhan Kërkezin, është pjesë e “lojës” së tij në skenë, i cili tha se provën e fundit para publikut, do të kryejë sonte (e martë) në natën e premierës.
Kerkezi ka premtuar se shfaqja e tij do të thyejë të gjitha rekordet e shfaqjeve në teatër në 15 vjetët e pasluftës. “Shfaqja paraqet realitetin jo të mirë në të cilin jetojmë sepse në e dimë që shfaqjet teatrale shfaqin një realitetit më të fuqishëm dhe më të vërtetë sesa realiteti jetësor, e ai është realiteti skenik dhe artistik. Edhe pse shfaqja ka kaluar në shumë sfida gjatë krijimit të saj, jam i lumtur që më në fund mund ta shohim atë që kemi krijuar dhe unë them se si jeni ardhur këtë herë për konferencën para premierës, pas saj do të vini në konferencën për thyerjen e rekordeve nga kjo shfaqje”, thotë regjisori Kërkezi.
Për premierën që jepet sonte foli edhe dramaturgu, Haqif Mulliqi, për të cilin u tha se ndihmoi shumë menaxhmentit të teatrit për këtë shfaqje. Ai tha se shfaqja “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, është nder për kulturën mbarëshqiptare dhe do të mbahet gjatë mend në memorien e publikut. “Nuk duhet harruar që në repertorin e këtij viti të TKK-së, vijnë dy dramat më të mira të shekullit 20, “Vdekja e një komisionari” dhe “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, të cilat i bëjnë nder të gjitha kulturës shqiptare në përgjithësi. Këto dy shfaqje tregojnë një potencë krijuese jashtëzakonisht të madhe që kemi në Kosovë. Unë besoj që kjo shfaqje i bën nder edhe TKK-së edhe kulturës tonë në përgjithësi dhe besoj që këtë lloj mendimi do ta ketë edhe publiku”, tha Mulliqi.
Sipas tij, është shumë e domosdoshme që Teatri të ketë autonominë e tij financiare. “Flasim për autonominë financiare të Teatrit Kombëtar të Kosovës, sepse buxhet vjetor ndahet dhe unë mendoj që në rrethanat në të cilat kemi kaluar dëshmojnë domosdoshmërinë që ky institucion jetë financiarisht i pavarur, pra t’i menaxhojë mjetet të cilat janë ndarë”, pohoi dramaturgu Mulliqi.
“Kjo është një shfaqje reportoreske e një teatri nacional sepse kudo në botë teatrot nacionale bëjnë shfaqje të tilla me këtë cilësi e nivel. Kjo shfaqje do të mbetet në memorien e teatrit kombëtar dhe për të cilën do të flitet një kohë të gjatë”, tha në fund ai.
Emin Emini, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, tha se kjo shfaqje sjell fatet dhe historitë e personave në këtë rast edhe tonat, nga realiteti jetësor në atë skenik. “Në këtë shfaqje bëhet edhe konvertimi dhe rivlerësimi se realiteti skenik-artistik është më i fuqishëm në të gjitha kuptimet sesa ai jetësor. Është një fazë tragjikomike, por në shfaqje kemi edhe një dimension krejt tjetër, kemi një fluks drite që depërton në të kaluarën tonë shumë të afërt ne të tashmen që po jetojmë, dhe e gjitha kjo është një me realitetin”, tha Emini.
Kurse drejtori i TKK-së, Valdet Avdiu, tha se shfaqja “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, është një shfaqje e madhe dhe që reflektoi të gjithë gjendjen aktuale të të gjithë institucioneve të kulturës në Kosovë, gjendja që, sipas tij, lë shumë për të dëshiruar në aspektin e autonomisë së institucioneve. “Falë komunikimit të mirë arritëm që teatri të ketë festë me premierën e kësaj shfaqjeje, e cila është premiera më e mirë pas luftës. Unë kam pa tre muaj punë të madhe, kam parë përformanca artistike që mund t’i shohim vetëm në Berlin, Zyrih apo Londër”, tha Avdiu.
Sipas tij, regjisor Kërkezi, me një ekip të ri por shumë të vyeshëm të bartur nga siç tha ai lokomotiva e ekipit Sunaj Raqa, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme duke pasur tre muaj prova me dy orare, paradite dhe pasdite. “Shpresoj që kjo shfaqje do të shpërblehet edhe nga publiku, edhe pse jam i bindur që shfaqja do të ketë shumë publik, do të jetojë shumë gjatë, shumë më gjatë se shfaqjet tjera që vijnë e ikin pa u marrë vesh dhe e gjithë kjo ishte një përvojë më e mirë që do të na ndihmojë shumë në të ardhmen”, përfundoi ai.
Premiera e shfaqjes “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, do të jepet sonte nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës./zeri/



