Gjykata e Apelit të Kosovës që nga fillimi i vitit e deri më tani ka pranuar 17 mijë e 999 lëndë.
Prej tyre, 11 mijë e 266 lëndë janë trashëguar nga vitet paraprake, ndërsa 6 mijë e 733 prej tyre kanë ardhur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017.
Këto informacione u bënë të ditura në konferencën për media të kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, njofton Klan Kosova.
Sipas tij, nga numri i lëndëve që janë aktualisht në Gjykatën e Apelit, gjyqtarët e kësaj Gjykate kanë arritur që në këtë periudhë raportuese t’i zgjidhin 5838 lëndë derisa kanë mbetur edhe 12 mijë e 161 lëndë.
Sipas kryetarit të kësaj Gjykate, nëse krahasohen këto shifra me periudhën e njëjtë raportuese të vitit të kaluar, del se kjo Gjykatë me numër të njëjtë të gjyqtarëve ka zgjidhur 332 lëndë më shumë.
Por sipas tij, edhe numri i lëndëve që kanë ardhur në Gjykatë krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur nga 6 mijë e 341 në 6 mijë e 733 lëndë që i bie se janë pranuar 392 lëndë më shumë.


