Ish-kreu i Cosa Nostras, Salvatore “Toto” Riina, një prej krerëve më të frikshëm në historinë e mafias siçiliane ndodhet aktualisht në koma dhe në prag të vdekjes, sipas medias italiane.
I burgosur që prej arrestimit të tij në janar 1993, ky person i prekur nga kanceri, është vendosur në koma artificiale për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore pas dy operacioneve në veri të Italisë.
Dje, ministri italian i Shëndetësisë, Andrea Orlando ka nënshkruar një dokument që lejon të afërmit e Toto Riinas, subjekt i një regjimi të rreptë burgimi duke përfshirë dhe ndalimin e vizitave, t’i japin lamtumirën e fundit në vendin e rezervuar për të ndaluarit në një spital të Parmës.
I ashtuquajtur “La Belva” (“Bisha”), Toto Riina mbretëroi nën terror përgjatë 20 viteve në Siçili dhe brenda grupit të Cosa Nostras, kontrollin e të cilës e kishte marrë duke nisur nga vitet 70, përcjell Atsh.
Akuzuar për komandimin e më shumë se 150 vrasjeve, dënuar me burgim të përjetshëm, ai njihet kryesisht për urdhërimin e vrasjeve të gjyqtarëve antimafia, Giovanni Falcone (1992) dhe Paolo Borsellino (1993) dhe se ka qenë një prej trurit të sulmeve të përgjakshme në vitin 1993 në Romë, Milano dhe Firence.


