Infeksioni i lartë në rajon, rrezik edhe për Kosovën

PUBLIKUAR

Situata epidemiologjike në Kosovë është jostabile, pasi shkalla e infeksionit me koronavirus në rajon është e lartë, thotë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani.

Në situatën jostabile, sipas tij, kontribuon edhe fakti se varianti Delta i koronavirusit, i cili është më ngjitës, është dominues në Kosovë.

Kosova, javëve të fundit, ka parë rënie të numrit të të infektuarve dhe viktimave.

Në 10 ditët të fundit janë shënuar 163 raste te reja pozitive dhe tri vdekje nga koronavirusi.

Aktualisht, raste aktive në Kosovë janë rreth 440.

Situata në rajon është ndryshe. Më 4 nëntor, në Serbi janë shënuar mbi 6,000 raste të reja pozitive dhe 64 viktima, në Bosnje mbi 1,000 raste dhe 32 viktima, në Maqedoni të Veriut 550 raste dhe 16 viktima, në Mal të Zi mbi 700 raste dhe 6 viktima.

Drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, thotë se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet, në rast të rritjes së numrit të rasteve të reja.

Ai paralajmëron se një gjë e tillë do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësorë.

“Andaj, IKSHPK-ja apelon te të gjithë qytetarët për respektimin e të gjitha masave, sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Masat që janë aktualisht në fuqi, përfshijnë mbajtjen e maskës në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe dëshminë e vaksinimit apo të testit negativ për hyrje në qendra tregtare, restorante, bare dhe vende të tjera publike.

“Rekomandojmë institucionet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Apeli i IKSHPK-së konsiston në domosdoshmërinë e kujdesit të shtuar të të gjithëve, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëjnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit”, thotë Ramadani.

Ai thekson se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar koronavirusin, veçanërisht format e rënda të sëmundjes që e shkakton ai dhe vdekjet.

“Ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin”, thotë Ramadani.

Në Kosovë, deri të enjten (4 nëntor) janë dhënë mbi 1.5 milion vaksina kundër koronavirusit, ndërsa mbi 735,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht, apo 41 përqind e popullatës së përgjithshme.

Qytetarët e Kosovës, nga data 5 nëntor, mund të vaksinohen kundër koronavirusit pa caktuar termin paraprakisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të enjten se “qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”.

SHIKO MË SHUMË

Kosovari fut ilegalisht 31 dele e qengja nga Serbia në Kosovë, kapet nga policia

Policia e Kosovës, sot në fshatin Dumnicë ka parandaluar një rast të kontrabandimit të...

Festa e Kurban Bajramit: Myftiu Tërnava i drejtohet besimtarëve me mesazh urimi

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava do t’i...

E martë e nxehtë, temperaturat arrijnë në 29°C

Gjatë ditës së martë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Sipas...