Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka mbajtur takim publik me qytetarët, me qëllim të prezantimit të punëve të realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, si dhe për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe propozimet e tyre lidhur me investimet dhe zhvillimin në komunë.
Gjatë takimit, Kryetari Ahmeti vlerësoi trendin pozitiv në realizimin e të hyrave vetanake, ku deri më tani janë realizuar 56.40% e planifikimit vjetor. Veçanërisht u theksua realizimi i tatimit në pronë, i cili ka arritur në 53.52%, duke shënuar një rritje prej 19.34% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Realizimi i përgjithshëm i të hyrave vetanake është rritur për 25% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, që dëshmon për një performancë të qëndrueshme dhe menaxhim efektiv të buxhetit komunal,” tha Kryetari z. Imri Ahmeti.
Sa i përket projekteve kapitale, aktualisht janë në proces disa projekte, ku një pjesë e tyre është duke u zbatuar në terren, ndërsa të tjerat ndodhen në fazat e procedurave të tenderimit dhe përzgjedhjes së operatorëve, me pritshmëri që shumë shpejt të fillojnë punimet.
Kryetari Ahmeti theksoi se Komuna e Lipjanit, falë qeverisjes transparente, është shpallur fituese e Grantit të Performancës nga DEMOS, përmes të cilit ka siguruar mjete shtesë për projekte të reja. Këto projekte tashmë janë në fazën e tenderimit dhe pritet që së shpejti të nisin zbatimin në terren.
Gjithashtu ai potencoi se përveç investimeve në infrastrukturë, prioritet i veçantë do t’u kushtohet edhe sektorëve të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, sportit, kulturës dhe rinisë, për të cilët janë realizuar projekte konkrete dhe do të vazhdohet me mbështetje të vazhdueshme në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Qytetarët e pranishëm në takim shprehën mirënjohje për angazhimin e Kryetarit Ahmeti dhe kabinetit të tij për realizimin e projekteve të shumta që kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e komunës. Ata gjithashtu paraqitën kërkesa për investime të reja kapitale në të ardhmen.
Në përmbyllje të takimit, Kryetari Ahmeti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ritheksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët si pjesë thelbësore e qeverisjes së hapur, gjithëpërfshirëse dhe transparente në shërbim të qytetarëve.







