I biri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e ka mohuar sot se i kishte thënë një gazetari sporti se biznesi i pasurisë së patundshme të familjes së tij kishte marrë para nga Rusia për t’i financuar fushat e golfit.
Në një status në Twitter sot herët në mëngjes, Eric Trump shkroi se komentet e gazetarit të sportit, James Dodson, janë krejtësisht të montuara, transmeton Express.
Reagimi i Eric vjen pak orë para një rundi të ri të dëshmive në Capitol Hill në kuadër të hetimeve ndaj lidhjeve të mundshme mes fushatës presidenciale të Trump dhe përzierjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Sipas Dodson, Eric Trump i tha atij në vitin 2014 se familja e tij po merrte nga Rusia të gjitha fondet që i nevojitshin dhe se nuk po mbështetej në bankat amerikane për paratë që i duheshin për të ndërtuar fusha golfi.
Dodson, i cili i bëri këto komente në një intervistë me radion e Bostonit të premten që lamë pas, po ashtu shtoi se Eric i kishte thënë atij se rusët po investonin vërtet në programet e familjes Trump.
Komentet e Eric i bëjnë jehon komenteve të më hershme të djalit më të madh të Trump, Donald Trump Jr., i cili pati thënë në një konferencë të vitit 2008 se në biznesin e familjes së vet derdhen shumë para nga Rusia./Express/


