Një 18-vjeçar shqiptar është sulmuar nga huliganët maqedonas teksa po priste autobusin në lagjen Karposh.
Adnan Shabani nga Çairi tregon se sulmi ndaj tij nisi pasi huliganët e kuptuan identitetin e tij, dhe njëri prej tyre e goditi me shkop bejsboll në fytyrë dhe më pas në kokë duke i shkaktuar plagë serioze.
“Më pyetën se çfarë je, i tregova se jam shqiptar. Më than mirë! U largua i pari dhe nga ana tjetër më ka ardhur një goditje në fytyrë, më ka goditur dhe kam rënë. Pastaj prapë më kanë goditur në kokë dhe jam rrëzuar për tokë”, deklaron Adnan Shabani.
Por 18-vjeçari nuk e përjashton mundësinë që sulmi, të jetë vepër e tifozëve që kishin dalë nga përballja në hendboll mes Metalurgut dhe Killit.
Ai u dërgua menjëherë në spital për t’u mjekuar për plagët e marra. Ministria e Punëve të Brendshme konfirmon se sulmi ndaj 18-vjeçarit është regjistruar si sulm dhe grabitje ndaj viktimës, e jo si incident ndëretnik. MPB-ja thotë se punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje. /Telegrafi/



