Haziri: Bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje

PUBLIKUAR

1

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri vlerëson se Kosovës i duhet një qeveri me shumicë shqiptare. Në këtë rast, Haziri thotë se koalicionit LDK-AAK-Nisma duhet t’i bashkohet edhe Vetëvendosje.
Ai thekson se Vetëvendosje duhet të vendos nëse dëshiron t’i bashkohet shumicës shqiptare për të qeverisur, apo shumicës tjetër shqiptare që është PDK-ja, për të bërë opozitë.

“Kjo është çështje për të cilën ne ende po bisedojmë dhe jam i bindur që edhe vendi ka nevojë, edhe Vetëvendosje ka nevojë të jetë pjesë e shumicës shqiptare për të qeverisur Kosovën”, tha Haziri për Radio Kosovën.

Haziri beson se do të ketë afrim me Vetëvendosjen, duke thënë se koalicioni duhet të ndërtohet mbi mirëbesim.

Ai thekson se ka kontakte të vazhdueshme të zyrtarëve të bllokut me Vetëvendosjen, por një gjë të tillë e mohon sekretari i përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

“Jo nuk ka takime të tilla dhe ne nuk kemi nevojë as të kemi kontakte derisa Blloku të reflektojë mbi marrëveshjen. Ne kemi thënë se marrëveshja që është arritur mes përfaqësuesit të Vetëvendosjes dhe të LDK-së natën e 16 korrikut dhe është sjellur në Kuvend më 17 korrik, ajo është marrëveshja bazë në të cilën vetëm çka mund të shtohen gjëra, por nuk mund të hiqet asnjë prej tyre”, tha Molliqaj për Radio Kosovën.

Molliqaj thotë se përfshirja e Vetëvendosjes në qeveri është një garanci e madhe që do të ketë një ndërrim të kursit të politikës shtetërore të Kosovës, ndërsa nëse kjo qeveri mbetet në votat e Listës Serbe, atëherë, sipas tij, do të ketë degradim të mëtejshëm të shtetit.

E analisti Albert Krasniqi e sheh të rrezikshme mundësinë që qeverisja e vendit të varet nga Lista Serbe.

“Një listë e cila është themeluar dhe diktohet puna e saj nga Qeveria e Serbisë, është e rrezikshme për vendin”, tha Krasniqi.

Ndryshe, në seancën e kontestuar konstituive të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa arriti t’i sigurojë 65 vota falë votës së Listës Serbe, përderisa deputetët e Vetëvendosjes abstenuan. /rtk/

 

SHIKO MË SHUMË

Dita e Viktimave të Zhdukjes – Policia, Komisioni Qeveritar e IML nesër zhvillojnë vizitë në Kalludër ku u gjetën mbetjet e 23 personave

Policia e Kosovës, ka njoftuar se nesër, së bashku me Komisionin Qeveritar për Persona...

Lladrovci për Halil Thaçin e Prebrezen: Me qejf a pa qejf kanë me u ulë me neve për u marrë vesh për çështjen e...

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrvoci, pas takimit me të parin e Prishtinës dhe atë...

Rama: Kompanitë e pastrimit të krijohen në bazë të komunave, kështu secila do të ishte përgjegjëse për zonat e veta

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, pas takimit me kryetarin e Drenasit dhe atë të...