Barcelona pësoi një humbje mjaft të rëndë ndaj Sevillës pak para pushimit ndërkombëtar, duke u mposhtur me rezultat 4-1 në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”.
Jo vetëm që humbi vendin e parë në tabelë, por mënyra e kësaj disfate hapi një sërë pikëpyetjesh për trajnerin Hansi Flick.
Trajneri gjerman pa skuadrën e tij të vuante në pjesën e parë, dhe katalanasit patën fat që ishin vetëm një gol në disavantazh në pushim, pasi lejuan disa raste të pastra për Sevillën.
Pavarësisht dy golave të pësuar në fund që vulosën ndeshjen, Flick kishte deklaruar se ishte i kënaqur me reagimin në pjesën e dytë, megjithatë, kishte dy lojtarë që nuk ishin pjesë e atij reagimi.
Qendërmbrojtësi Ronald Araujo u përball me kritika të shumta sezonin e kaluar, veçanërisht pas paraqitjes së tij në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit, ku u pa në foto në dy nga golat e kundërshtarit.
Pas asaj ndeshjeje, ai u mbështet nga trajneri Flick dhe drejtori sportiv Deco, mes zërave për një largim të mundshëm në verë.
Megjithatë, sipas Sport, Araujo ishte një nga lojtarët me të cilët Flick nuk ishte i kënaqur dhe e zëvendësoi pas pjesës së parë.
Ai u zëvendësua nga Eric Garcia pas një kartoni të verdhë dhe shkaktimit të një penalltie, edhe pse kjo e fundit ishte shumë e debatueshme.
Një tjetër lojtar që e pësoi për shkak të kartonit të verdhë dhe paraqitjes në pjesën e parë ishte Gerard Martin.
Ana e majtë ishte një burim konstant problemesh për blaugranasit, me Pau Cubarsi që shpesh duhej të vinte në ndihmë në krah. Ai u zëvendësua nga Alejandro Balde, po ashtu pas pjesës së parë./Telegrafi/