Gjykata e Apelit ka konfirmuar nga tri vite burgim për vëllezërit Fadil e Nexhat Demaku të dënuar në rastin e njohur për krime lufte ‘Drenica 2’. Aktualisht deputeti i PDK’së, Fadil Demaku ka paralajmëruar dorëheqjen e tij në Kuvend. E të njëjtën gjë ka konfirmuar ta bëjë edhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku.
Drenasi nga nesër shkon në zgjedhje të reja. Kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku ka paralajmëruar dorëheqjen e tij, që të martën, një ditë pasi Gjykata e Apelit i konfirmoi atij 3 vite burg për krime të kryera gjatë luftës, në rastin e njohur si “Drenica 2”.
“Unë nesër do ta ofroj dorëheqjen time. Edhe pse asnjëherë nuk do ti besoj këtij vendimi”, i tha kryetari Demaku Gazetës Express.
Dorëheqje nga një pozitë e besuar nga qytetarët e vendit do të japë edhe vëllai i tij, që do të vuaj të njëjtën madhësi të dënimit, për të njëjtin rast, Fadil Demaku. Ai ka konfirmuar për Gazetën Express se sapo të jetë i plotfuqishëm aktgjykimi i Apelit do ta ofrojë dorëheqjen e tij nga posti i deputeti të Kuvendit të Kosovës.
“Po, do të jap dorëheqje. Si të më vije vendimi do ta parashtroj dorëheqjen time”, tha Demaku të hënën. /GazetaExpress/.


