“Gjashtë persona kërkojnë autorin”, pa Enver Petrovcin e Luan Jahën

PUBLIKUAR

20140813162510298600

Enver Petrovci dhe Luan Jaha, edhe pse kanë qenë të përzgjedhurit e Orhan Kerkezit që të jenë pjesë e shfaqjes “Gjashtë persona kërkojnë autorin”,që të dy janë tërhequr nga ky projekt. I pari ka thënë se nuk është pajtuar me honorarin e i dyti është shprehur të jetë i angazhuar dika tjetër. Kerkezi për KultPlus ka thënë se me këtë shfaqje deri më tashti i ka shkuar shumë ters, edhe pse, tashmë aktorët e larguar i ka zëvendësuar me Sunaj Raçën e Fatmir Spahiun.

Orhan Kerkezit po i shkon ters me shfaqjen e re që është duke e punuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Edhe pse, e ka pritur si një lajm të mirë rikthimin e tij, pas shtatë viteve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, disa nga aktorët e përzgjedhur me audicion nuk i ka më në mesin e kastës së përzgjedhur të shfaqjes “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, të Luigji Pirandellos që duhet të jepet premierë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. 
Enver Petrovci dhe Luan Jaha, që për Kërkezin ishin shija më e mirë e kësaj shfaqjeje kanë hequr dorë të jenë pjesë e këtij projekti që do të nis sezonin vjeshtor, të cilët, për KultPlus i kanë dhënë arsyetimet se pse kanë vendosur të mos jenë më pjesë e kësaj shfaqje. 

20140813162402981

Enver Petrovci, ka thënë për KultPlus se arsyetimi kryesor ka të bëj me mospajtimet e honorarit mbi këtë shfaqje. “Problemi është tek honorari. Ata më kanë ofruar një honorar të cilin unë nuk e kam pranuar, dhe kaq”, ka thënë Petrovci për KultPlus. 
Mirëpo, jo e njëjta gjë i është thënë Kerkezit nga vet Petrovci. Kërkezi ka thënë për redaksinë tonë se Petrovci është larguar për shkak të angazhimeve të tjera. “Mua më ka thënë se është jashtë vendit në këtë periudhë, dhe për këtë fakt është larguar nga projekti. Ndërkaq, pjesën e honorarit nuk e di, mund të ketë pasur mospajtime kur ka shkuar në administratë të TKK-së, për nënshkrim të kontratës”, ka thënë Kerkezi. 

20140813162249389

 Ndërkaq, Luan Jaha aktori tjetër që nuk është pjesë e shfaqjes së Kerkezit ka thënë se arsyeja e mos qëndrimit në këtë projekt është fakti se ka qenë i angazhuar dika tjetër. “Për shkaqe teknike, teknikisht nuk mund të jem më pjesë e shfaqjes. Jam i zënë me punë të tjera, nuk mund t’i vazhdoja provat, isha në festival, gjithashtu në pushim. Kjo është arsyeja e vetme”, ka thënë Jaha për KultPlus.
Mirëpo, se sa e kanë dëmtuar regjisorin Kerkezi këto largime, duke pas parasysh se tashmë ka ndërtuar konceptin regjisorial mbi këta dy aktorë, Kerkezi ka thënë se kjo i ka shkaktuar shumë kokëçarje.
20140813162500314
“Më është dashur të gjej koncept tjetër, parashikimi me Petrovcin e Jahën ka qenë tjetër, tash më është dashur të bëj tjetër gjetje”, ka thënë Kerkezi, i cili, rolin e Petrovcit tashmë e ka zëvendësuar me Sunaj Raçën e atë të Luan Jahës me Fatmir Spahiun.
Duke u bazuar në përvojën paraprake, Kerkezi është shprehur të jetë i kënaqur me Raçën, pasi e njeh punën e tij, ndërkaq për Fatmir Spahiun është shprehur të jetë pak besëtytë. “Ogurin e zi e ka aj djalë. E pata nis një shfaqje me të shumë vite më parë, që nuk është përfunduar kurrë”, ka thënë duke qeshur Kerkezi.
Ai shpreson të jetë premiera shumë më e mirë se sa procesi që e ka përcjellë këtë shfaqje që nga fillimi. “Shumë ters më ka shkruar deri më tashti. Fillimisht pata shumë të interesuar për audicion, ka qenë shumë punë e mundimshme deri te përzgjedhja, tash tërheqjet e dy aktorëve kryesorë, shpresoj që tash e tutje të shkoj gjithçka mbarë”, ka përfunduar Kerkezi, i cili në këtë javë ka filluar provat në çdo të dytën ditë, e prej të hënës së javës së ardhshme, sipas tij, provat do të jenë ditore./KultPlus.com

SHIKO MË SHUMË

Shukri Buja premton rregullimin e lumit Sitnica

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka paralajmëruar nisjen e një projekti për...

Shukri Buja mobilizon shtabin: Nesër takohemi në sheshin ‘Adem Jashari’

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka njoftuar se nesër, më 13 shtator,...