Ushtria Kombëtare Afgane ka njoftuar se njëri nga zëdhënësit kryesorë të ISIS-it në Afganistan është vrarë përmes një sulmi ajror me dron. Njoftimi u dha përmes një deklarate të ushtrisë, në të cilën thuhet se Sultan Aziz Azam u vra një ditë para zbulimit të një baze të ISIS-it në lindje të vendit.
Zëdhënësi ishte bërë cak i aeroplanëve, bazuar në raportet e inteligjencës. Nasrat Rahimi, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, ka thënë se Azam akuzohej edhe për rekrutim të militantëve që më vonë do të kryenin sulme të mëdha në zonat urbane.
Lidhur me këtë ngjarje nuk ka pasur ende reagim nga ISIS-i apo nga forcat amerikane. Nangarhari është bastion i militantëve të ISIS-it, të cilët janë aktivë në skajin lindor të vendit, përgjatë kufirit me Pakistanin.
Shtetet e Bashkuara besojnë se në Afganistan ndodhen rreth dy mijë militantë të ISIS-it. Grupi sunit i ka vënë në shënjestër civilët e pakicës shiite dhe forcat e sigurisë përmes sulmeve vdekjeprurëse që nga viti 2015, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.


