Çdo ditë e më shumë pesimizmi pushton shoqërinë tonë. Pesimizëm “determinues” pothuajse.
Pesimizëm që mbyt iniciativën, që alivanos çdo dëshirë racionale, ngufatje që vështirëson jetën nga shtrëngime imagjinare me burim nga hipnoza reale. Aq pesimizëm, sa që të ndryshmen nuk mund ta mendosh gjerë në fund as në mendjen tënde. Prandaj, fuqia e këtij pesimizmi është shqetësuese, na benë të dorëzohemi ende pa filluar……. Të dobët jemi dhe pa forcë argumentuese për veprime të mbara! Në anën tjetër jemi shumë të “fortë” dhe gënjeshtarë, e shpifës në shërbim të të mbrapshtës! Aq keq jemi sa që e dëmtojmë edhe kontributin tonë. Jemi të pa ndërgjegjshëm ndaj të përbashkëtës. Kemi sy të fort ndaj së keqes dhe pafundësisht fjalë e fjalë për të mirën, e që në fakt nuk e besojmë të mirën si të mundshme në mesin tonë. Nuk bëhemi të mirë duke qëndruar të qetë në mesin e të kqinjëve, nuk mund ta krijojmë të bukuren duke qenë të qetë, e të lumtur në mesin e deponive me “aromë” që ngulfat. Krenohemi me prejardhjen, përderisa jemi shumë larg civilizimit.
Krenari me të cilën mundohemi ti mbulojmë ngecjet tona. Rrezikojmë të vlerësohemi pasardhës dhe paraardhës turpi. Ende rrugët tona ju ngjajnë rrugëve të filmave me zombi (të ngjashme i bëjmë rrugët ne, duke kaluar aty ku na bie më lehtë)…….. A duhet të nisemi NE, secili nga NE, duke mos e pritur dikë që nuk do të vijë kurrë, për ti vendos gjërat për së mbari. Vetëdijshëm avokojme të padrejtën. Sikurse çdo gjë tjetër edhe kjo rrëmujë e ka një burim. Nëse kemi parasysh qëllimin e politikës, atëherë përmes politikës politikani do të duhej ti shërbej shoqërisë, në lehtësimin e vështirësive jetësore….. Përmes politikës vizionarët shohin rrugën për të gjet mundësin e realizimit të projekteve dobiprurëse shoqërore. Dëshira për të arritur sukses dhe gatishmëria për dhënien e llogarisë janë atribute të politikës parimore.
Sepse, politika është përgjegjësi, jo komoditet. Është llogaridhënie, jo neglizhencë. Është menaxhim, jo përvetësim…. Në shoqërinë tonë nuk u krijua politikani i modelit të tillë, prandaj, pesimizmi çdo ditë e më shumë është “determinues”. Maksimalja e ndryshimit që është bërë në politikë është lëvizja e vendeve brenda të të njëjtëve, që na imponohen si të ndryshëm. Të ndryshmit e pa ndryshueshëm, që gjithherë bëjnë të ngjashmen ngecëse. Politikë që krijon servilë. Servilizëm, që shihet si mënyrë e vetme për të mbijetuar. E padëshirueshmja, është kjo.