Referendumi i iniciuar nga presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan, ndau popullin turk, pothuajse në dysh – ata duhet të zgjidhnin të votonin “Evet” – që në turqisht i bie “Po”, apo “Hayir” – që në turqisht i bie “Jo”.
Pas afër një shekulli Republikë Parlamentare, populli turk ka vendosur ta ndryshojë sistemin e vetë qeverisës.
Të dielën nga afër 50 milionë turq sa shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar, sipas agjencisë turke të lajmeve Haberler, 51.4 për qind votuan, pro ndryshimeve kushtetuese që do t’i japin fuqi ekzekutive postit të presidentit, kundrejt 48.6 që votuan kundër.
Dhe tani animi i vogël nga poja do ketë konsekuenca të mëdha, njofton Klan Kosova.
Derisa në të kaluarën Presidenti kishte fuqi simbolike dhe kryeministri e qeveria kishin rolin ekzekutiv, nga zgjedhjet e ardhshme ekzekutivi kalon tek presidenti.
Derisa në të kaluarën Presidenti nuk duhet të ishte i lidhur – zyrtarisht – me ndonjë parti politike dhe nuk guxonte të ishte lider i ndonjë partie, tash e tutje do ta ketë këtë të drejt.
Derisa në të kaluarën katër nga 22 anëtarët e Gjykatës Supreme emëroheshin nga presidenti dhe të tjerët zgjedhshin nga gjyqtarët dhe prokurorët, tash e tutje pesë nga 13 anëtarët e Gjykatës Supreme do të emërohen nga presidenti, pjesa tjetër nga parlamenti.


