Luis Figo ka lënë të kuptohet se Lionel Messit nuk ka dëshirë të qëndrojë më në Barcelonë. Superylli argjentinas bëri kërkesë me shkrim për t’u larguar nga Camp Nou gjatë verës, por u detyrua të qëndrojë në klub për çështje ligjore.
Kohë pas kohe, Messi nuk është dukur vetja këtë sezon në fanellën e Barcelonës, sepse iu desh të priste plot shtatë ndeshje për ta shënuar golin e parë nga loja në ligë, transmeton Gazeta Express.
Ai realizoi nga loja e hapur për herë të parë këtë sezon kundër Real Betisit fundjavën e kaluar në ndeshjen e tij të shtatë në La Liga.
Ish-ylli i Barcelonës dhe Real Madridit, Figo tregoi se e ka shikuar situatën e Messit me vëmendjen gjatë verës.
“Përpjekjet e Messit për t’u larguar nga Barcelona këtë verë i vëzhgova si të gjithë tifozët e futbollit: i habitur dhe duke pritur çfarë do të ndodhte”, tha Figo për MARCA.
“Ai i ka motivet dhe arsyet pse e mori atë vendim. Nuk e di çfarë kishte ndodhur paraprakisht. Çdo klub dëshiron ta ketë një lojtar si Messi”, shtoi ai.
“Por në përgjithësi në jetë, nëse nuk dëshiron të jesh në një vend, në fund asgjë nuk mund të ta ndryshojë mendjen”, theksoi ai. /Gazeta Express/


