Festivali më prestigjioz në vend “Nine Eleven Dedication Festival” ishte deri më 11 shtator. Edicioni i 11 i festivali Nine Eleven u mbajt në hapësirat e “Sheshit 21”, ndërsa projeksioni i filmave më 8, 9 dhe 10 shtator, me fillimin ora 20:00. Përpos filmave, skenarët e së cilëve janë bërë të ditur më herët, që do të prodhohen nga Nine Eleven, sivjet kanë pranuar edhe 11 filma të tjerë nga jashtë; nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Me gjithë katër premierat e festivalit, sivjet kanë qenë edhe katër premiera nga jashtë. Filmat pjesëmarrës në këtë edicion ishin: “Me ditë me e bo e kishim bo…” skenari Besart Sllamniku, ndërsa regjia Genc Berisha; “Amel” me skenar dhe me regji të More Raçës; “Shpresa” nga Naser Shatrolli; “Një natë jashtë” nga Silvio Spahiu; “Unë jam i biri i kurvës” nga Majlind Samadraxha; “E dashura, Nita” me skenar dhe regji të Alban Zogjanit; “My city screams” nga Ibër Deari; “Loren” nga Guxim Klinaku; “Good time to die” me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Senad Abduli; “Pandora” me skenar të Arlinda Morinës dhe Dhurat Hotit, si dhe regji të Arlinda Morinës; “Vibrime në mesnatë” nga Anton Ndreca; “Lulet” nga Agim Sylejmani; “Udhëtimi” nga Gazmend Nela; si dhe, “Piano” nga Xhelal Haliti dhe Burim Haliti. Në festival nuk kanë munguar edhe mbrëmjet me muzikë; Robert Bojaj – DJ Robi u përkujdes për miksimin e muzikës çdo natë, ndërsa pati edhe këngëtarë si Egzona Ademi, Edona Reshitaj, BB Poqi, etj.
11 vite për miqtë tanë Amerikanë
Nuk thuhet kot që kultura është ambasadori më i mirë i një vendi. Këtë e dëshmon më së miri edhe ky event i cili në nderë të viktimave të 11 shtatorit vendosi që në vend të luleve, lotëve e qirinjve, të prodhojë diçka e cila do të mbetet gjithmonë; dhe si mund të nderohet dikush që mbetet hero i vendit të vet, më shumë se nga një film.
Ky festival është “FALEMINDERIT AMERIKË”, “NE JEMI ME JU”, “MIKU PËR MIKUN” dhe çdo mirënjohje tjetër që një shtet si Kosova, bashkë me qytetarët do t’ia bëjnë mikut të vetë më të madh Amerikës… Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qytetarëve të saj. Atë ditë të 11 shtatorit, të gjithë bashkëndiejmë me ata Njujorkez, Amerikanë e familjarë; shikuam lajmet në gjithë kanalet e mundshme që raportonin këtë tragjedi të këtij fillimshekulli, heshtëm dhe ndezëm qirinj në nderë të tyre.
Por, jo të gjithë u pajtuan që ky terror të kujtohej vetëm me një qiri e një ditë zie apo një minutë heshtje – përkundrazi, për çdo qiri e minutë të heshtjes vendosi të krijojë diçka. Të krijoj nga një film! Dhe për 10 vite me radhë, nga shtatori i 2003tës, e deri më sot Prishtina Film në krye me Blerim Gjocin prodhoi mëse 95 filma, 11 festivale, rreth dyzet e pesë mbrëmje ku u projektuan këta filma dhe u duartrokitën dyfish më shumë: për vetë filmin dhe në nderë të atyre 3000 personave që nuk janë më! Kosova është miku i mirë që këtë datë nuk e lejon që të mbetet vetëm si dita më e trishtueshme e këtij shekulli të ri, por bën që përpos kontributit në kinematografinë shqiptare, të kontribuoj edhe në marrëdhënien Kosovë – Amerikë.
Me gjithë pengesat që i dolën në rrugë këtij festivali e kësaj fabrike filmash, nuk ndaluan. Madje as kur të tjerët do t’i thoshin mjaftë këtyre “problemeve” Nine Elven Dedication Festival, nuk i tha; por megjithatë, prodhoi, prodhoi, prodhoi… për 11 vite! Një dekadë! Një jetë e tërë!
U bënë 11 edicione të këtij festivali, e të këtyre shtatorëve të njëmbëdhjetë; por përkrahja nuk ndaloi as sivjet! Është mirë kur dikush nuk ndalon së punuari as kur të gjithë i kundërvihen, e aq më tepër kur ka një mision të tillë, të kontribojë në një marrëdhënie, një kinematografi e shumë artistë, të cilëve kur të gjithë ua pamundësuan punën.
Prishtina Film ua hapi dyert dhe i mirëpriti, i promovoi dhe i ngriti në qiell! “Shkurt e shqip” kaloi një rrugë të gjatë shqip për Amerikën. Eh, këtë rrugë të gjatë e kuptojnë vetëm ata që e dinë se çfarë përgjegjësie është të bësh një festival, për më tepër një që punën e fillon menjëherë pas përfundim të festivalit të shkuar, pasi që gjithmonë është duke punuar për të prodhuar më shumë, shumë e më shumë, për t’ia shprehur Amerikës mirënjohjen e tij dhe për t’i treguar që çfarëdo që i ndodhë Amerikës, na ndodhë edhe neve.
Këtë, madje e tha edhe filmi “Kosova 9/11” i regjisores Burbuqe Berisha, ku tregohet një realitet i popullit tonë, i cili ishte i gatshëm “me i ra” Serbisë (a kujtdo që i bën keq Amerikës), për t’i ndihmuar Amerikës, e treguar që ne na ka “krah të djathtë”. Këta jemi ne, e ky është ky festival – Misioni i të cilit është, “me i ra” kujtdo që ndërhyn në këtë marrëdhënie e krijimtari! Por me i ra, me punë të pandalshme – gjë që po e bën tash e sa edicione! Ky edicion premton shumë. Madje edhe kur iu “kërcënua” ekzistenca, festivali erdhi edhe më fuqishëm… më shumë se asnjëherë. Sepse festivali do të jeton edhe shumë, dhe do te prodhon edhe më shumë… e ky është një PREMTIM!!!
Rradhitja, nominimet dhe fituesit
Muzika me e mire: FITUES: VIBRIME NË MESNATË – TRIMOR DHOMI
Montazha më e mire: FITUES: MY CITY SCREAMS – ERMAN MEMEDI
Fotografia më e mirë: FITUES: PANDORA – BOUBKAR BENZABAT
Aktorja më e mirë: FITUES: GOOD TIME TO DIE – NAIME AZI
Aktori më i mirë: FITUES: LOREN – SUNAJ RAÇA
Skenari më i mirë: FITUES: LOREN – GUXIM KLINAKU
Regjia më e mirë: FITUES: MY CITY SCREAMS – IBRAHIM DEARI
Filmi më i mirë: FITUES: MY CITY SCREAMS
/LipjaniNews/






