Festivali tradicional i këngëve dhe valleve të përpunuara dhe të stilizuara “Këngë Jeho”, Strugë 2014, do të mbahet në dekadën e parë të muajit gusht, respektivisht më datat 8, 9 dhe 10 gusht në Strugë.
Këtë e konfirmoi drejtori i festivalit, Dilaver Lloga, pas takimit të Drejtorisë së festivalit. Ai po ashtu njoftoi se për sa i përket problemit të ambienteve të punës së drejtorisë, respektivisht zyrës së festivalit, këtë vit, në ndihmë u ka dalë komuna e Strugës, e cila u ka liruar një zyrë në objektin e ndërtesës së ish mbrojtjes popullore.
Lidhur me këtë drejtori Dilaver Lloga theksoi se tani kushtet për të punuar dhe koordinuar aktivitetet e festivalit janë më reale, sepse deri më tani kemi pas “drejtori shëtitëse” nga një lokal në tjetrin duke paguar edhe qira, përkundër fakteve që festivali nuk gjen akoma mbështetjen e duhur financiare nga institucionet qendrore -Ministrisë së Kulturës së RM-së.
“Për sa i përket aspektit financiar, akoma nuk kemi ndonjë njoftim konkret për lartësinë e mjeteve të planifikuara nga Ministria e kulturës dhe jemi në pritje të akordimit të mjeteve për realizimin e festivalit të sivjetmë, krahas borxheve nga vitet e kaluara ndaj hotelierëve për sistemimin e shoqërive dhe grupeve pjesëmarrëse në festivalet e kaluara”-përfundoi drejtori Dilaver Lloga.(INA)



