Belgjika e ka rrëzuar kampionen e tanishme evropiane, Portugalinë, nga Euro 2020, me një fitore me fund dramatik të dielën në Sevillë, duke e caktuar një çerekfinale ëndrrash me Italinë.
Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale, raporton Gazeta Express.
Belgjika dhe Italia do të përballet më 2 korrik në Munih, në çerekfinalen e dytë të këtij Evropiani.
Portugalia dështoi në përpjekjet e saj për ta mbrojtur trofeun evropian, të fituar më 2016 dhe kjo nënkupton se do ta kemi një kampion të ri evropian më 11 korrik.
Në një pjesë të parë pothuajse të barabartë, një goditje nga largësia e vëllait të vogël të Eden Hazard, Thorgan, e bëri dallimin dhe doli të ishte përcaktues i fituesit të takimit të 1/8 së finales.
Mesfushori i Borussia Dortmundit e mposhti Riu Patricion me një goditje raketë nga rreth 25 metra largësi.
Loja e djajve të kuq belgë ra shumë kur Kevin de Bruyne u lëndua në fillim të pjesës së dytë dhe u detyrua ta braktisë fushën.
Nga ky çast, portugezët e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo – i cili ishte në kërkim golit për ta thyer rekordin për më së shumti gola ndërkombëtar, pasi në ndeshjen e kaluar e barazoi iranian Daei me nga 109 gola ndërkombëtar – e morën lojën nën kontroll dhe krijuan një mori rastesh.
Portugalia ka mundur ta barazonte rezultatin në dy raste 10 minuta para fundit, por goditja e fuqishme me kokë e Dias u ndal nga Thigabut Courtois, para se Guerrero ta godiste shtyllën pak çaste më vonë.
Belgjika dështoi t’i japë fund Portugalisë me rastet e krijuara nga i pandalshmi Romelu Lukaku por pesë minuta shtesë nuk i mjaftuan portugezëve për ta shmangur eliminimin e hershëm.
Belgjika u mbajt deri në çastet e fundit dhe do të përballet me Italinë në çerekfinale më 2 korrik në Munih. /Gazeta Express/


