Dy ka qenë numri i kandidatëve që kanë aplikuar për postin e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, gjë që ka bërë që të vazhdohet konkursi për këtë pozitë edhe për një javë. Derisa sot pritet që Ministria e Kulturës t’i bëjë të ditur emrat e kandidatëve që kanë konkurruar për këtë post, njerëzit e artit vazhdojnë të mendojnë që edhe në këtë konkurs nuk do të mungojnë ndikimet politike.
Jeton Budima, kandidat për postin e udhëheqësit artistik të TKK-së, ka thënë se është aktiv në Teatrin Kombëtar qysh nga viti 2001. “Veprimtaria ime karakterizohet me shfaqje novatore, kritika teatrore, veprime morale institucionale dhe nxitje të ndërgjegjes teatrore”, është shprehur Jeton Budima. Regjisori thotë se konkursi nuk është transparent dhe objektiv, për të shtuar se në asnjë dimension nuk mund të krahasohem me Emin Eminin, i cili, sipas tij, është simbol i regresionit dhe manipulimeve politike.
“Pretendimi për një mandat të ri është kundërligjor sepse paraqet konflikt interesi duke marrë parasysh se Emin Emini është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve (zgjedhja e tij ishte ideologjike) e po ashtu udhëheqës artistik në institucionin më të lartë të vendit (kjo zgjedhje ishte po ashtu ideologjike dhe e kundërt me Ligjin e Punës…)”, ka thënë Jeton Budima.
Emin Emini, që për katër vite ka qenë udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka konkurruar që ta marrë këtë post edhe për katër vjet të tjera, “pavarësisht kandidatëve, unë jam më i miri besoj”, thotë Emini, madje ai thotë se është i bindur për këtë. “Me pikat që i kam krijuar si drejtor artistik i teatrit, një nga ato është që të ruhet 50 me 50 për qind raporti në mes të dramaturgjisë kombëtare dhe asaj botërore; dhe një argument shumë i fuqishëm është që brenda këtij mandati Teatri Kombëtar i Kosovës ka grumbulluar rreth 30 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare”, tregon Emin Emini, sipas të cilit ky është një indikator se vlerat artistike që janë krijuar gjatë kohës sa ai ishte drejtor artistik i Teatrit Kombëtar. “Këto janë ato vlera për të cilat unë mendoj se do ta fitoj konkursin”, shton ai. Emin Emini ka thënë se nëse Këshilli Drejtues bazohet në vlera, atëherë ai duhet të jetë prapë udhëheqës artistik në TKK.
Javë më parë Emini është akuzuar për sulm fizik ndaj aktorit Naim Berisha, i pyetur se sa do të ndikojë kjo në garën e tij për ta marrë të njëjtën pozitë që e ka pasur deri më tani në TKK, ai nuk ka dashur ta komentojë. “Nuk e kam bërë asnjë prononcim deri më tani për këtë rast, por do të vijë koha kur do të them fjalën time”, ka thënë Emin Emini.
Por, Naim Berisha në letrën e tij drejtuar institucioneve të Kosovës, për sulmin fizik të ndaj tij nga Emin Emini, ka thënë se mosangazhimi i aktorëve rezidentë të TKK-së është përgjegjësi e drejtorit artistik.
“Unë pakënaqësinë për mosangazhim ia kam shprehur zotëri Emin Eminit disa herë edhe në vitin 2013, por përgjigja e tij ka qenë se nuk guxon të më angazhojë, ngase disponimi në kreun e Ministrisë është që unë të mos angazhohem, për shkak se unë paskam çuar pluhur për shkeljet që janë bërë në këtë institucion dhe për mbetjen time në punë”, kishte shkruar në letrën e tij Berisha më 2 korrik të këtij viti.
Kushtrim Koliqi, regjisor, thotë se do të ishte befasi nëse drejtori artistik do të zgjidhej pa prapavijë politike. “Do të ishte befasi shumë e mirë nëse zgjedhja e këtij drejtori artistik nuk do të kishte preferenca politike, kjo do të kishte qenë befasia e verës, duke marrë parasysh edhe të gjitha ato probleme që i shkaktuan zgjedhja e drejtorëve të fundit”, ka thënë Koliqi.
Zgjatja e afatit edhe për një javë për konkurrim, pasi kishin aplikuar vetëm dy kandidatë për këtë pozitë, regjisori Koliqi shprehet se kjo tregon për gjendjen e mjerueshme në të cilën ka rënë Teatri Kombëtar. “Ky është indikacion i qartë për njerëzit që e udhëheqin kulturën, institucionet kulturore qeveritare, që tregojnë se në çfarë mjerimi ka rënë Teatri Kombëtar, duke marrë parasysh se për këtë pozitë kanë konkurruar dy kandidatë”, ka treguar ai. Sipas tij, njerëzit që kanë bagazh, kanë biografi nuk konkurrojnë për pozita të tilla sepse nuk kanë lidhje politike dhe janë mësuar të mos pranohen.
Naser Shatrolli, anëtar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, ka thënë se personi i duhur për postin e drejtorit artistik të TKK-së,ë shtë vetë ai. “E them pa modesti. Kamy e thotë modestia është hipokrizi. Unë do isha personi i duhur për t’i dhënë dimension profesional dhe multidimensional teatrit”. Ndërkaq sa i takon akuzave për zgjedhje politike ai se në secilin konkurs ka politikë edhe nëse nuk do kishte politikë askush nuk do besonte.
“Edhe këtu do të ketë politikë, dhe drejtori do të zgjedhet me këtë mendësi ballkanike sepse politikë janë duke bërë më shumë artistët sesa politikanët. Nuk do të kemi drejtor artistik meritor por do kemi drejtor artistik të imponuar sepse nuk do konkurojnë askush meritor, për këtë jam i bindur”. Për Emin Eminin, Shatrolli ka thënë se do të mbahet mend për performancë të dobët artistike. “Ka sjellë tekste e krijues që se kishin menduar kurr TKK-në”.
Jehona Shyti, këshilltare në Ministrinë e Kulturës, ka thënë për “Zërin” se nuk mund të publikohen emrat e kandidatëve pa u mbyllur konkursi. “Afati është zgjatur sepse nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm që kanë aplikuar në konkurs dhe ka qenë e domosdoshme që të bëhet shtyrja e afatit që të presim edhe aplikacione të tjera”, ka thënë Jehoha Shyti, për të shtuar se pasi kanë aplikuar vetëm dy kandidatë nuk është mbushur kriteri që është i caktuar me ligj dhe rregullore të tjera./Zëri.info/.


