Ndryshe nga institucionet e tjera të kulturës, ku u çelën dhe disa konkurse për emërimin e drejtuesve të rinj, për Bibliotekën Kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës bëjnë të ditur se nuk ka konkurs
Javën e ardhshme Ministria e Kulturës e Shqipërisë do t`ia propozojë kryeministrit Edi Rama kandidaturën për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Plotësimi i këtij posti të institucioni të rëndësishëm kulturor bëhet me vendim të kryeministrit. Ndryshe nga institucionet e tjera të kulturës, ku u çelën dhe disa konkurse për emërimin e drejtuesve të rinj, për Bibliotekën Kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës bëjnë të ditur se nuk ka konkurs.
Emërimi i drejtorit të ri vjen pas dorëheqjes së Aurel Plasarit i cili e drejtoi Bibliotekën Kombëtare prej 16 vjetësh. Ai ka deklaruar se ka marr një vendim të tillë pas një marrëveshjeje me Ministrinë e Kulturës për t’u emëruar në një vend tjetër.
Një nga marrëveshjet e fundit që nënshkroi drejtori Aurel Plasari ishte ajo e datës 29 korrik 2014 me Aleancën Franceze në Tiranë për çeljen e Sallës Franceze të Leximit dhe, në plotësim të saj, me Ambasadën e Francës në Tiranë Marrëveshjen mbi hapjen e Sallës Franceze të Leximit.
Drejtori i ri do të përballet me problemin e mungesës së hapësirave për ruajtjen e fondeve. Zgjerimi i sipërfaqes ka qenë një nga sfidat më të mëdha për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, problem i cili prej kohësh është pohuar jo pak dhe nga drejtues të Ministrisë së Kulturës.
Muaj më parë ministrja Kumbaro shprehur shqetësimin se prej disa vitesh nuk është bërë asnjë përpjekje për këtë problem sa i takon hapësirave të reja. Gjatë këtyre ditëve pranë këtij institucioni bëhet e ditur se në vëmendje është projekti i cili disa mjedise të Pallatit të Kulturës ku ndodhet BK do ti kalojnë këtë institucioni./KultPlus.com



