Prindërit e Jonida Çanakut nuk besojnë se është Sokrat Shano, autori i vetëm i krimit edhe pse ai ka lënë letra të shkruara ku ka pranuar vrasjen e saj para se të vriste veten.
Duke folur me gazetën “Panorama”, Sefedini tregon dhe dyshimet e të shoqes për vdekjen e vajzës së tyre. Ajo nuk beson se vrasësi ishte Sokrati që u gjet i vdekur.
“Nuk di çfarë t’ju them më parë. Kjo histori më duket shumë e mistershme. Unë s’e kam parë për së vdekuri vajzën time. Gruaja, madje, ka dyshime që Sokrati mund të mos jetë fare autor i vrasjes së saj. Sipas saj, ai nuk ishte në gjendje të bënte një gjë të tillë. Po edhe unë dyshoj. Mund ta ketë vrarë edhe ndonjë person tjetër. Policia thotë që ka gjetur letra që i ka shkruar ai para se të vriste veten. Ku janë ato letra, pse nuk m’i tregojnë? Kam dyshime edhe për personat që vinin dhe e merrnin me porosi të tij këtu para shtëpisë. Policia duhet t’i gjejë këta persona. Duhet ta gjejë atë njeri që erdhi e mori këtu të shtunën në darkë. Mbase ai di diçka apo fsheh ndonjë gjë”, tha babai i vajzës.
Sefedin Çanaku thotë se nuk është lejuar nga policia dhe nga morgu që ta shohë kufomën e së bijës.
Sipas tij, policia duhet të vazhdojë hetimet, pasi ai nuk beson se ishte një krim për pasion dhe më tej një vetëvrasje nga i dashuri i vajzës.
Sefedini vë gishtin te një tjetër mister: “Policia thotë se ka gjetur letra që i ka shkruar ai para se të vriste veten. Ku janë ato letra, pse nuk mi tregojnë? Kam dyshime edhe për personat që vinin dhe e merrnin me porosi të tij këtu para shtëpisë”.


