Filmi kosovar “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjës dhe filmi “Bota” me regji të Iris Elezit janë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit që mbahet në Gjermani.
Filmi kosovar “Tri dritare dhe një varje” është shfaqur mbrëmë në Festivalin e Filmit në Cottbus të Gjermanisë. Projekti kinematografik i regjisorit Isa Qosja është prezantuar në konkurrencën zyrtare të këtij festivali i cili ka nisur më 4 nëntor dhe do të përmbyllet më 9 tetor.
“Tri dritare dhe një varje”,trajton çështjen e grave të dhunuara nga ana e serbeve në luftën e fundit të Kosovës. Filmi bën fjalë për një femër e cila vendosë të flas për dhunimin që i është bërë, për mentalitetin që e rrethon dhe pasojat e dhunimit.
Përveç filmit kosovar në këtë ngjarje kinematografike do të merr pjesë edhe filmi “Bota” me regji të Iris Elezit i cili është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë. Ky film i cili është vlerësuar nga kritika ndërkombërtare do të shfaqet më 8 nëntor.
Brenda 100 minutave të filmit, përmes personazheve të tre të rinjve sillet një tablo e Shqipërisë sot. Filmi fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C.
Skena ku Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e tre personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar.
“Bota” është kafja ku “takohen” personazhet. Në filmin e Elezit copëza historish bëhen bashkë për të rrëfyer universalen. Në të ndërthuren ëndrrat e një 20- vjeçareje që kërkon t’i shpëtojë izolimit të “botës” së vogël të fshatit të saj për t’u bërë banore e botës së madhe. Ecejaket e një 40-vjeçari për t’i dhënë një motiv jetës së tij, histori të së shkruarës që rikthehen dhe një autostradë që nis të ndërtohet.
Filmi „Bota“ pas prezantimit në Festivalin e Filmit në Cottbus të Gjermanisë, më 13 nëntor do të shfaqet premierë në Tiranë për të vazhduar nga 14 Nëntori të jetë në repertorin e kinemasë „ Millenium“. /KultPlus.com



