Është në natyrën e regjimeve autoritare dhe udhëheqësve me prirje diktatoriale, të cilëve duke mos ju mjaftuar shkëputja e qëllimshme me qytetarët, këtë hendek në mes tyre dhe popullit ta mbushin me skandale të inskenuara nga vetë autoritetet dhe fushata represioni ndaj qytetarëve dhe atyre të cilët sillen rreth një ideje tjetër politike, të gjitha të përcjellura me përndjekje dhe arrestime politike, apo edhe duke futur vendin në kriza të ndryshme, deri tek vënia në pikëpyetje të ekzistencës së shtetit, vetëm që të ruajnë pushtetin e tyre përmes terrorizimit të qytetarëve dhe për pasojë frikësimin e tyre në përpjekje të shterrimit të energjisë reaguese dhe kështu, të shtyejnë për aq sa mundin kryengritjen legjitime të nënshtetasëve.
Mustafa-Thaci, apo kronologjikishtThaci-Mustafa ndërmorën dhe po vazhdojnë të ndërmarrin veprime që po rrezikojnë gjithçka publike dhe shtetërore, aq sa për të ruajtur regjimin. Në funksion të sundimit të tyre, Mustafa-Thaci, u vodhën dinjitetin qytetarëve në përpjekje të zhveshin ata nga fuqia dhe gatishmëria e tyre për të rezistuar, duke ulur standardet e jetesës dhe vështirësuar jetesën e tyre, thelluar varësinë nga Serbia përmes koncesioneve nga dialogu dhe tashmë edhe duke futur njësitet elite policore në zyret e subjektit kryesor opozitar, arrestimin e deputetëve opozitarë dhe, së fundi suspendimin e opozitës parlamentare, me pretendimin e shtypjes politike të organizimit popullor kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit.
Historia e vjetër, por edhe ajo moderne e regjimeve diktatoriale që mbahen për aq sa qëndrojnë në këmbë vetëm përmes policisë qeveritare dhe masave të dhunshme, njeh raste të panumërta, që ngjashëm si regjimi Mustafa-Thaci, ishin të gatshëm të shkonin deri edhe në eliminimin fizik të qytetarit të Republikës, që ata ta kenë të pamundur ngritjen kundër regjimit, e nga i cili, në fakt e merrnin fundin e vetës së tyre. Të gjithë diktatorët, varfëronin qytetarët, shpiknin armikun brenda tyre, fusnin në luftëra të padobishme për shtetin dhe shtetasit, prodhonin kriza që vendosnin ecjen e vendit për tehu të shpatës dhe në emër të gjoja interesit madhor dhe të tejkalimit të këtyre rreziqeve, trasonin rrugën e kontrollit absolut dhe garantonin sundimin despotik të tyre, dhe, kur të gjitha këto nuk mjaftonin, apo në paranojë dhe panik për efektin e pasigurtë të këtyre masave, ndërmerrnin sulmet, arrestimet dhe përndjekjet politike.
Ashtu siç flet Filozofi i njohur Zhizhek për këtë përmasë të regjimeve despotike, duke u thirrur në romanin Piramida të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, në të cilin faraoni egjiptian Keops njofton se nuk dëshiron të ndërtojë një piramidë të njëjtë me të paraardhësve të tij. Të alarmuar nga ky sugjerim, këshilltarët e tij theksojnë se ndërtimi i piramidës është vendimtar për ruajtjen e autoritetit të tij; është një nga mënyrat që i mban njerëzit e tij të varfër, e kësisoj edhe të bindur. Keopsi e njeh të vërtetën e kësaj, kësisoj bashkë me këshilltarët shqyrton mundësitë e ndryshme të përkeqësimit të gjendjes së qytetarëve: për shembull duke futur Egjiptin në luftë, ose duke sjellë ndonjë katastrofë natyrore (duke prishur rrjedhën e rregullt të Nilit, e për pasojë dëmtuar bujqësinë). Pra ata kthehen tek ideja e ndërtimit të një piramide aq të madhe, saqë ndërtimi i saj do të mobilizonte gjithë burimet e vendit dhe do të dobësonte energjitë e popullsisë së saj duke i vënë të gjithë në rresht. Projekti e futi vendin në gjendje emergjente për dy dekada, me polici të fshehtë e të zënë në zbulimin e sabotazheve, duke organizuar arrestime të stilit stalinist, rrëfime publike dhe ekzekutime.
Rrethanat dhe natyra e mbajtjes së qytetarëve nën kontroll dhe larg reagimit mund të dallojnë, siç dallojnë edhe modelet e tyre, por thellësisht, funksioni dhe qëllimi i tyre ngelët i njëjti, për aq sa kemi sundimtar të tillë që nuk mbështeten dhe nuk drejtohen nga vullneti i qytetarëve për liri dhe integritet. Por, sa aktuale dhe ilustruese na shfaqen këto veprime të faraonit Keops nga Egjipti i lashtë, sa qartazi janë të njohura dhe provuara në lëkuren e secilit qytetar veprimet dhe pasojat e tyre, që erdhën e po vazhdojnë të vijnë nga regjimi Mustafa-Thaçi. Regjimi i deritashëm i HashimThacit, i ndjekur me besnikëri nga Isa Mustafa në shumë drejtime e përkeqësoi me vetëdije gjendjen e qytetarëve dhe e rriti barrën e publikut, jo vetëm duke e dërrmuar qytetarin në aspektin social-ekonomik, por edhe duke ja vënë lakun e robërisë edhe për brezat e ardhshëm, aq sa lëvizja për t’i përmbysur, do të rezultonte sipas tyre me shtrëngimin deri në ngulfatje. Isa dhe Hashimi, të cilët për të ruajtur sundimin e tyre dhe të kastës që kontrollojnë, nuk u mjaftuan vetëm me inskenimet për kanosje nga sulmet terroriste, apo me degradimin gati të gjithqkaje në planin e brendshëm, me korrupsion në nivele endemike, varfëri ekstreme dhe mungesë perspektive, arsimim të dobët, sado që fakultete dhe institucione të arsimit të lartë publike e private u hapën në çdo qytet e mëhallë, pa mbrojtje shëndetësore për qytetarët e rëndomtë, përderisa kasta sunduese politike e ekonomike për vete dhe familjet e tyre merr shërbime shëndetësore jashtë vendit, me funksionar shtetëror më të paguarit në rajon kur qytetarët lëshojnë vendin për të kërkuar një strehë dhe ushqim për fëmijët e tyre, por, nisen ta rikthejnë Serbinë aty ku nuk ishte dhe ta legalizojnë aty ku ishte, si dhe falur mijëra hektarë tokë shtetërore Malit të Zi, duke u kapur për këto koncesione, kundër vullnetit të qytetarëve për të qëndruar në pushtet. Megjithëkëtë, kur, plotësimi i këtij projekti të shterrimit të energjisë së qytetarëve të Republikës dhe tëhuajsimin e tij, hasë në rezistencë të asaj pjese të ndërgjegjshme për drejtësinë dhe dëmet e padrejtësive, si dhe të vendosur për të kundërshtuar me të gjitha mundësitë dy marrëveshjet që e ndajnë dhe e falin Kosovën, masat që regjimi po ndërmerr, në vend te shkatërrimit të rezistencës qytetare, po ravijëzojnë fundin e tyre. Tamam, ashtu siç kishin bërë gjithnjë dhe gjithkund Diktatorët!