Droni që vrau gjeneralin iranian dhe vëzhgoi lëvizjet e Osama Bin Laden dhe të trupave serbe gjatë luftërave në Ballkan

Vrasja me dron e gjeneralit iranian Qassem Soleimani, po cilësohet si hera e parë kur fluturakja pa pilot e forcave ajrore është përdorur për vrasjen e një komandanti të lartë në një vend tjetër, shkruan Financial Times, duke rikujtuar se dy versionet e para të dronit ishin përdorur gjatë luftërave në Ballkan nga viti 1993.

Sipas kronologjisë së publikuar nga e përditshmja angleze, dronët janë përdorur për herë të parë në vitin 1991 për vëzhgim dhe spiunim dhe më pas gjatë luftës dhe operacionit Stuhia e Shkretëtirës, ku asokohe ushtria amerikane vazhdoi t’i përdor fluturaket pa pilot Pioneer dhe Pointer për vëzhgime përfshirë këtu edhe patrullimet ajrore përgjatë kufirit Saudi-Kuvajt, transmeton Telegrafi.

Në vitin 1993 CIA kishte blerë pesë fluturake pa pilot të tipit Gnat që u përdoren gjatë luftërave në Ballkan, me qëllim që të mund të mbikëqyr lëvizjet e trupave dhe tankeve serbe. Gnat ishte një prototip që më vonë është zëvendësuar me Predator.

Evoluimi i Predatorit ka përparuar dukshëm në vitin 2001, kur ushtria amerikane arriti që dronët t’i pajisë me raketa. E përdorimi i fluturakeve të armatosura pa pilot, për herë të parë janë testuar gjatë tentimit të pasuksesshëm të CIA për ta vrarë komandantin e talebanëve Mullah Mohammed Omar në tetor të vitit 2001. Droni raportohet se kishte lansuar më herët raketën dhe në vend të cakut të paraparë për ta goditur, kishte qëlluar një kamion të zbrazët.

Siç raporton Financial Times, përdorimi i parë efikas i fluturakes pa pilot ka ndodhur në vitin 2002, kur me Predator u sulmua një grup burrash në Afganistan, e konsiderohej se në mesin e tyre ishte edhe Osama Bin Laden, asokohe njeriu më i kërkuar në botë në listën e terroristëve. Dron kishte goditur cakun, por në mesin e viktimave nuk kishte qenë edhe Bin Laden. E gjatë administratës së George W. Bush, nga viti 2000-2008, janë realizuar 57 sulme me fluturake pa pilot.

Nga viti 2008 deri më 2016, gjatë dy mandatave të presidentit Barack Obama, në 563 sulmet e realizuara në Pakistan, Somali dhe Jemen janë vrarë nga 384 deri në 807 persona. Ndërkaq gjatë administrimit të Donald Trump, vetëm gjatë vitit 2017 në Jemen janë kryer nga 114 deri më 124 sulme me dronë.