Voal – Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja do të jetë deputeti i Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së Azem Sylës nga mandati i tij si deputet.
Sipas rezultateve zyrtare në KQZ, mandati i deputeti duhet të kalojë te Shukri Buja, i cili ka garuar me numrin 80 dhe ka marrë 8,224 vota.
Shukri Buja më 30 dhjetor të 2015-s është dënuar me 4 muaj burgim me kusht dhe 2000 euro gjobë, pasi nuk kishte deklaruar pasurinë.
Azem Syla, në anën tjetër, ka dhënë dorëheqje pasi po hetohet si udhëheqës i një grupi të krimit të organizuar në lidhje me shpronësimin e disa pronave.
Buja ka qenë komandant i Zonës Operative të Nerodimës gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pas luftës ai ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. Në vitin 2007 ai ka garuar për kryetar të Lipjanit nga radhët e PDK-së, duke fituar dhe duke e mbajtur këtë mandate deri në vitin 2013, kur pas zgjedhjeve lokale e ka humbur garën përball Imri Ahmetit të LDK-së.
Për këtë kalim të mandatit të deputetit nga Azem Syla tek Shukri Buja, një i akuzuar për krim të organizuar tjetri i dënuar për mashtrim ndaj shtetit, sepse nuk e deklaron dhe e fsheh pasurinë, që nuk i dihet burimi se si e ka bërë, reagon Donika Gërvalla Schwarz në rrjetin social e cila shkruan:
“Ik një horr, e eja një tjetër… Quo vadis Kosova…”, bën një pyetje retorike Donika Gërvalla Schwarz.


