E plotësuar: Ka përfunduar protesta në Tetovë. Si rezultat i përleshjeve, 10 persona – prej tyre katër protestues dhe gjashtë policë – kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Mësohet se shtatë të lënduar kishin plagë të lehta dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore ata janë lëshuar për kurim shtëpiak.
Nuk ka madje asnjë të arrestuar nga ana e protestuesve. Protestat kanë përfunduar edhe në Shkup, Gostivar, Dibër e Strugë. /Telegrafi/
Protestë e qetë në Shkup, përleshje në Tetovë
E plotësuar: Protesta në Tetovë ka rezultuar me përleshje mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin policor që kishte vendosur policia rrugës drejt selisë së BDI-së.
Mësohet se ka të lënduar lehtë edhe policë edhe protestues.
Forcat policore kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok bomba për të zmbrapsur protestuesit, raporton Zhurnal.
Qindra qytetarë të Tetovës ishin grumbulluar në Sheshin “Iliria” në Tetovë, ku e kanë filluar protestën paqësore për rastin “Monstra” dhe për dhunën policore të së premtes në Shkup.
Ndryshe, për dallim nga dy ditët e para, protesta e sotme në Shkup ka kaluar e qetë dhe pa asnjë incident.
Forca të shumta policore speciale të shoqëruara edhe me automjete të blinduara kanë ndjekur protestuesit nga Çairçanka deri në afërsi të qendrës së lagjes “Mavrovasja”, prej ku pastaj protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.
Familjarët e të dënuarve thanë se protestat e qeta do të vazhdojnë deri në lirimin e të familjarëve të tyre, për të cilët thanë se janë dënuar pafajësish. Protesta ka pasur edhe në Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë. /Zhurnal/TetovaSot/
Protestojnë shqiptarët në gjithë Maqedoninë (Foto)
Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe sot janë organizuar protesta në qytetet e Maqedonisë ku jetojnë shqiptarë. Në shenjë revolte për dënimet drakonike të 6 shqiptarëve në procesin “Monstra”, protesta po mbahen në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Strugë.
Qindra protestues kanë dalë përsëri rrugëve të Shkupit, kësaj radhe në protesta të qeta. Forca të mëdha policore me autoblindë dhe autobote kanë bllokuar bulevardin pranë Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, për të pamundësuar drejtimin e demonstruesve kah Qendra e Shkupit dhe Qeveria.
Protestuesit demonstrojnë të qetë dhe me thirrje “duam drejtësi”, kundër aktvendimit të gjykatës për rastin “Monstra”.
Edhe në Gostivar janë grumbulluar qindra protestues, për të shprehur solidaritetin e tyre me protestat e Shkupit, kundër procesit gjyqësor “Monstra”.
Siç raporton “Zhurnal”, protestuesit kanë kërkuar drejtësi duke brohoritur parulla kundër BDI-së, “poshtë qeveria”, por edhe kundër kryepolices Gordana Jankullovska.
Anësh rrugëve kryesore është vërejt edhe prezenca e polices, ndërkaq, protestë identike është duke u mbajtur edhe në Tetovë.
Pas paralajmërimeve nëpër rrjetet sociale për mbështetje për rastin “Monstra” nga gjithë shqiptarët e Maqedonisë, edhe tetovarët pas protestës së qetë në Qendër të Tetovës, tani ata janë nisur drejt selisë së BDI-së në Reçicë.
sipas portalit TetovaSot protestuesit po brohoritsin: “Lironi vëllezërit tanë! Poshtë politikanët!”. /Telegrafi/






