Diçka nuk ishte në rregull në fabrikën “ARI-Armaturen” në Gjermani. Një punëtor 23-vjeçar kishte probleme shëndetësore, ndërsa mjekët zbuluan se ai kishte ngrënë merkur helmues. Më vonë u zbulua se ky helm ishte vendosur në ushqimin e punëtorëve nga një koleg i tyre i punës.
Pasi drejtuesit e fabrikës vendosën kamera në dhomën e pushimit, ata zbuluan se makinisti Klaus O., 57-vjeçar, kishte vendosur helm në senduiçët e kolegëve të tij. Për këtë arsye, një gjykatë e Bielefeldit e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Ai u shpall fajtor për tentim-vrasje dhe nëntë akuza tjera lidhur me sjelljen e tij ndaj kolegëve të punës për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar në mëlçi. Sidoqoftë, vendimi për dënimin e tij nuk paraqet përmbyllje të këtij rasti.
Prokurori i rastit, Veit Walter, ka thënë se organet e drejtësisë janë duke i hetuar edhe 21 raste të vdekjeve të mëhershme të punëtorëve të kësaj kompanie, të cilat më parë ishin vlerësuar si raste që nuk lidhen me punën në fabrikë.
Zyrtarët policorë e kishin arrestuar personin Klaus O. më 16 maj të vitit të kaluar pasi përmes pamjeve të siguruara nga kamerat u vërtetua se ai kishte hyrë në dhomën e pushimit, e kishte hapur çantën e një punëtori dhe kishte hedhur një lloj pluhuri në ushqimin e tij, shkruan “The New York Times”, transmeton Gazeta Express.