Ata që mendojnë se mund ta kontrollojnë alkoolin që pinë në mënyrë që të mos i dëmtojë, duhet ta mendojnë edhe një herë.
Sepse konsumi i alkoolit, në çfarëdolloj sasie, duket se ndikon shumë më herët nga sa mendohej deri tani.
Një studim i Universitetit të Oksfordit tregon se ky konsum shkakton zvogëlimin e vëllimit të lëndës gri të trurit dhe ndikon tek kujtesa. Në studim morën pjesë 25.000 njerëz.
(Foto: Medical News Today)
Verifikimet treguan se çdo sasi alkooli çon në një shëndet mendor më të dobësuar dhe se nuk ekziston asnjë nivel i “sigurt” i konsumimit të alkoolit – transmeton Top Channel.
“Sa më shumë alkool të konsumojmë, aq më shumë zvogëlohet vëllimi i lëndës gri të trurit”, ka deklaruare Anya Topiwala, kërkuese klinike me shumë përvojë dhe njëkohësisht autore kryesore e studimit.
(Foto: Woman’s Health)
Alkooli i tepërt ndikon para së gjithash në tru: perceptimi është i shtrembëruar, aftësia e gjykimit e turbulluar, aftësia e përqendrimit reduktohet.
Në të njëjtën kohë ulet edhe pragu i rezervimit; ndoshta ndjen një lloj qetësie të këndshme. Por, teprimi mund të shkaktojë dehje deri në humbjen e vetëdijes.
Veçanërisht rëndë është treguar kjo në konsumin e tepruar deri në gjendje kome tek të rinjtë. Depresionet dhe agresionet bëhen më të forta.
“Zvogëlimi i vëllimit të trurit çon rrjedhimisht edhe në një performancë më të dobët të kujtesës”, ka shpjeguar autorja e studimit.





