Tri valltare të ansamblit kombëtar të këngëve dhe të valleve “Shota”, dhe një tjetër që është regjistruar si menaxhere e lartë, për dy muaj janë paguar me buxhet të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Gjatë kësaj periudhe ato nuk kanë kryer asnjë shërbim për institucionin më të lartë bibliotekar në vend. E menaxheren, që MKRS-ja e regjistron si valltaren e katërt, “Shota” as që e njeh.
Valltaret Arta Drenica, Edona Berisha, Engzontina Aliu, Ministria e Kulturës i pranoi në punë më 5 maj të këtij viti dhe i futi në listën e pagave të institucionit bibliotekar. Edhe Mimoza Dibrani, që nuk është punonjëse e BK-së figuroi në listën e pagave të këtij institucioni. Në dokumentin që ka siguruar “KD” pozita e saj është menaxhere e lartë.
Përderisa për Ministrinë e Kulturës fakti që një institucion paguan punëtorë të një tjetër institucioni, nuk paraqet kurrfarë shqetësimi për menaxhmentin e BK-së dhe të “Shotës” nuk është kësisoj.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Bedri Zyberaj, ka thënë se BK-së do t’i kompensohet buxheti që është shpenzuar për pagat e punonjësve të “Shotës”, që sipas MKRS-së “nuk janë as dy rroga të plota”, shkruan Koha Ditore.



