Barcelona kishte bërë përpjekje për ta bindur Neymarin të kthehet në Camp Nou, madje duke dërguar përfaqësues në Paris, pak para se braziliani ta vazhdonte marrëveshjen me PSG-në.
Saga verore e transferimit të Neymarit mbaroi ende pa nisur mirë, pasi Paris Saint-Germaini konfirmoi se sulmuesi brazilian nënshkroi kontratë të re me klubin të shtunën, transmeton Gazeta Express.
Marrëveshja e re do ta mbajë Neymarin në kryeqytetin francez deri në vitin 2025.
Por Barcelona kishte bërë përpjekje ta kthente Neymarin në La Liga, para se PSG-ja ta blindonte me kontratë të re.
Sipas RAC 1, klubi katalonas dërgoi përfaqësues në Paris për të biseduar për kthimin e Neymarit në Barcelonë, pak javë para se ai ta nënshkruante vazhdimin e marrëveshjes në Parc des Princes.
Sipas tyre, Neymari kishte shprehur dëshirë për t’u kthyer në Camp Nou. Por vetëm pak javë më vonë, ai ia përkushtoi të ardhmen e vet PSG-së.
Barcelona është ndier e përdorur dhe e lënë pas, sipas MARCA. /Gazeta Express/


