Më 18 janar 2016, duke filluar nga ora 12 do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar atdhetarit Avdi Kelmendi nga komuna e Lipjanit. Me rastin e 65 vjetorit te lindjes dhe 20 vjetorit te vdekjes, akademia përkujtimore mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Se kush ishte Avdi Kelmendi, shkrimtari Qemal Aliu na tregon në një shkrim të publikuar më 21 dhjetor 2010, me rastin e organizimit të Akademisë Përkujtimore kushtuar atdhetarit Avdi Kelmendi, në 59-vjetorin e lindjes.
Vitet që përmenda më lartë, siç është e ditur, në njërën anë, nga titizmi dhe titistët propagandoheshin si vite të zhvillimit më të hovshëm, madje vite të “lulëzimit” të Kosovës, ndërsa në anën tjetër, realiteti fliste për vite të një përshakllëzimi të theksuar të veprimtarisë ilegale atdhetare, që përpiqej seriozisht për çlirim e bashkim kombëtar. Të parët kënaqeshin e stërkënaqeshin me gishtin që ua lyente buzët me hallvë titiste dhe si të tërbuar përpiqeshin të vëzhgonin, zbulonin, të ndiqnin e përndiqnin ata që po e prishnin këtë “rehati”, kurse të dytët jo që nuk i joshte kjo shujtë e krimbur, por, përkundrazi, kërkonin me vendosmëri e këmbëngulje, deri me çmimin e sakrificës, demaskimin dhe luftimin e saj, si e dëmshme dhe e rrezikshme për shëndetin e kombit. Avdiu, padyshim, i takonte grupit të dytë. E ndjeva këtë përsëafërmi, atëherë kur pasi mbaronin orët e mësimit me nxënës, qoftë gjatë pushimit në mes të orëve, qoftë gjatë rrugës kur ktheheshim për në shtëpi, më “provokonte”, ose më drejtë i “testonte” njohuritë e mia për çështjen tonë të pazgjidhur kombëtare. Por, ky “testim” nuk zgjati edhe aq shumë, sepse, me gjasë, siç u shpreh ai vetë më vonë, në një rast: “kot kishte trokitur në derë, kur ajo kishte qenë e hapur”. Prandaj, edhe kishte ndodhur ai “rrëmbimi” tij i shpejtë, kur mu drejtua troç: “Kundër pushtimit dhe pushtuesit nuk mjafton vetëm vetëdijësimi. Është i domosdoshëm edhe organizimi, veprimi i organizuar! Në veprime duhet të jemi të matur e të barazpeshuar, por gjithashtu edhe këmbëngulës, të vendosur dhe të gatshëm për çdo sakrificë”. Më njoftonte kësisoj ai se ishte i organizuar, më ftonte drejtpërdrejt në atë organizim, por edhe më paralajmëronte në të njejtën kohë për pasojat që rridhnin prej tij.
Natyrisht, menjëherë u shtruan edhe detyra konkrete për mua: “Organizimi ynë, që të jetë sa më konspirativë duhet të bëhet në “treshe”, më tha atëbotë Avdiu, “prandaj detyra jote e parë është të gjesh shokë të ngritur, të guximshëm e të vendosur, parasëgjithash të gatshëm të sakrifikohen për idealet e mëdha të çlirimit të trojeve tona nën Jugosllavi dhe bashkimi me mëmën Shqipëri. S’ka nevojë t’i dijë askush tjetër emrat e tyre, pos teje. Ata pastaj do të organizojnë “treshe” të tjera. Dhe, kështu, në vazhdimësi, Lëvizja jonë për Çlirim e Bashkim Kombëtar do të masovizohet sa të jetë e mundur më shumë, sepse lufta me pushtuesin do të jetë e gjatë dhe e vështirë”. “Tash për tash”, vazhdoi ai, “e gjithë lufta dhe i gjithë potenciali ynë intelektual e politik duhet të koncentrohet dhe të zhvillohet drejtë demaskimit të demagogjisë titiste për gjoja zhvillim të hovshëm të Kosovës, kur në fakt dihet se ajo është e pushtuar dhe e diskriminuar në të gjitha fushat. E për t’u arritur kjo kërkohen njerëz të përgatitur e të brumosur me ideale të larta atdhetare. Kjo nuk është edhe aq e lehtë të arrihet. Prandaj, kërkohen punë dhe përpjekje të mëdha, veçmas për ngritjen vetëdijes kombëtare te njerëzit nëpërmjet leximit dhe shpërndarjes së literaturës atdhetare, të ndaluar nga regjimi titist, që vie nga Shqipëria, apo duke përcjellur rregullisht emisionet e Radios dhe të Televizionit Shqiptar”. Prej këtij momenti, kontaktet me Avdiun i kishim pothuaj të përditshme; në shkollë ku punonim së bashku, në banesën e tij në Lipjan, në shtëpinë tij në Rufc të Ri ose në shtëpinë time në Kojskë.
Bisedat, bashkëveprimi dhe aktivitetet tona u intensifikuan edhe më shumë veçmas pas njohjes me veprimtarin dhe atdhetarin e paepur Ramadan Pllana-Dani, nga Shishtarica e Vushtrrisë, anëtar i KQ të LNÇKVSHJ-së (diku kah fundi i vitit 1978). Nga Dani, Avdiu merr detyrë të themelojë Komitetin e Vendit të LNÇKVSHJ-së për Lipjan, në krye të të cilit do të më caktojë më vonë mua. Sa ka qenë aktiv dhe funksional ky Komitet, është çështje për diskutim, sidomos kur kihen parasysh rrethanat e veprimit të thellë konspirativ-ilegal, por se vërtet janë bërë përpjekje për një organizim dhe për një veprim të organizuar kundër pushtuesit kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Ky organizim veçanërisht i vështirë ishte në qytetin e Lipjanit, meqë, për dallim nga disa qytete të tjera të Kosovës, koncentrimi dhe trysnia e popullsisë dhe oligarkisë nacional-shoviniste pushtetmbajtëse serbo-malazeze ishte shumëfish më e madhe. Hiç rastin e veprimit atdhetar të arsimtarit Ismail Gashi, me disa shokë, në vitet e shtatëdhjeta, në komunën e Lipjanit pothuajse mungonte fare ndonjë traditë e veprimit të organizuar ilegal. Nisur nga kjo, pa e tepruar, mund të thuhet se Avdiu ishte lokomotiva, në mos vula e vënies së një tradite të tillë të mirëfilltë të organizimit dhe të veprimit të organizuar atdhetar në këtë komunë. Ai, në dijeninë time, ishte i pari që, pas Luftës së Dytë Botërore, nën Jugosllavinë titiste, arriti të mbledhë rreth vetes dhe të organizojë aq shumë njerëz me ideale të përbashkëta çlirimtare në komunën e Lipjanit dhe njëkohësisht ta lidhë këtë organizim komunal në vijë vertikale, drejtpërsëdrejti, me strukturat qendrore të organizimit ilegal në nivel të Kosovës, siç ishte KQ i LNÇKVSHJ-së.
Natyrisht, e gjithë kjo veprimtari atdhetare nuk kishte shpëtuar pa u vërejtur nga syri zhbirues i UDB-së së atëhershme. S’ishte rastësi as pse QAMO e Lipjanit në atë periudhë (1977-1978-1979), nga pushtuesi dhe pushtetmbajtësit trajtohej si “çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Në vjeshtën e vonë të vitit 1979, siç tashmë është e ditur, u arrestuan dhe u burgosën disa arsimtarë që kishin punuar ose punonin në këtë shkollë, si: Isa Demaj, Avdi Kelmendi, Ismail Gashi, Beqir Leci, Qemal Aliu, Banush Bytyçi, më vonë (gjatë shërbimit ushtarak) Refik Ymeri, etj. Në atë periudhë (vjeshtë 1979) ose më vonë u arrestuan e u dënuan edhe veprimtarë të tjerë të shumtë në komunën e Lipjanit, kryesisht të rinj, si Muhamet Ademi, Ali Zejnullahu, Ekrem Llugiqi, Bajram Vishesella, Aziz Hyseni, Isuf Kelmendi, Ali Ymeri, Remzi Bedrolli, Ahmet Bislimi, e shumë të tjerë, të gjithë në njëfarë mënyre ”produkt”, përkatësisht “fryt” i punës dhe veprimtarisë atdhetare të Avdiut.
U mor vesh, goditja që iu dha me këtë rast Lëvizjes sonë Çlirimtare, padyshim, ishte e rëndë, por, edhe efekti në popull, në kuptimin më pozitiv dhe më afirmativ të fjalës, ishte shumë i madh. Për herë të parë në këto anë, në mënyrë kaq të efektshme, në sy të popullit, u arrit t’i çjerret maska demagogjisë titiste për gjoja “lulëzimin” e Kosovës, përkatësisht për gjoja “barazinë në mes të kombeve dhe kombësive dhe vëllazërim-bashkimin e popujve”. Vala e burgosjeve masive të veprimtarëve të LNÇKVSHJ-së, jo vetëm në komunën e Lipjanit, por në tërë Kosovën, sidomos e disa prej prijatarëve të saj, si: Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi, etj., si dhe arratisja jashtë vendit e Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës (të gjithë anëtarë të KQ të LNÇKVSHJ-së), zgjoi dyshimin te një pjesë e madhe e popullit, se, a thua vërtet Titua na qenka edhe aq “demokrat”, siç shtiret, përkatësisht a thua vetadministrimi titist vërtet qenka aq i “drejtë”, “human” e “demokratik”, siç pretendon?! Ajo që filloi të pëshpëritej, pothuajse vesh më vesh, më së shpeshti, atëbotë, nëpër ndeja, shkolla e institucione, ishte: “Ka diçka, se ndryshe nuk burgosen njerëzit kështu masivisht”!
Burgosja e Avdiut dhe bashkëveprimtarëve të tij padyshim krijoi një boshllëk gati të parikuperueshëm për vazhdimin e aktivitetit ilegal në mënyrë të organizuar në komunën e Lipjanit. Sepse, në kazamatet serbe ishte izoluar një lis i madh me shumë degë i nacionalizmit lipjanas. Ata të paktët që kishin mbetur jashtë kishin humbur “kiblën” e tyre të vërtetë të orientimit dhe organizimit. Edhe nëse kishte ndonjë aksion apo veprim të caktuar, ai ishte rast i veçuar, spontan dhe jo si duhet i organizuar. U desht të kalojë shumë kohë që të ndodhë trandja dhe e tërë gjendja të rikuperohet në një farë mase.
Dalja pas katër vitesh e Avdiut nga burgu dhe mbetja e tij pa punë e ballafaqimi me vështirësi egzistenciale ekonomike-materiale familjare, inkorporimi i tij i mëvonshëm në Lëvizjen gjithpopullore të Pajtimit të Gjaqeve(si prijatar në komunën e Lipjanit), inkuadrimi në Partinë Fshatare, si kryetar i Degës në Lipjan, madje edhe si kryetar i Këshillit të atëhershëm Koordinues të Partive Politike në këtë komunë, ishin vetëm disa nga sfidat e radhës me të cilat ai prapëseprapë nuk ngurroi të përballej, anipse tani në rrethana krejtësisht të reja në Kosovë. U përball, por kujtoj edhe i fitoi të gjitha ato sfida me radhë, sepse siç thash më lartë, ishte lis i madh Avdiu. Madhështinë e tij, përpos bashkëveprimtarëve dhe bashkëmendimtarëve të tij, u detyruan ta pranojnë shumë më vonë edhe disa ish-shërbëtorë besnikë të pushtetit të dikurshëm jugosllav, të cilët në përpjekje për t’i hyrë sa më në hatër atij pushteti, një kohë s’patën lënë gjë pa vjellë kundër veprës atdhetare të Avdiut, madje duke bërë përpjekje mjerane për ta kontestuar edhe potencialin e tij njerëzor, intelektual, moral e politik! Por, kur gjërat ndryshuan në kahje krejtë tjetër nga ç’e kishin menduar më parë (në të mirë të idealeve dhe veprimtarisë së Avdiut, kuptohet), të njejtit, shumë shpejtë e rrotulluan gëzofin dhe nga sharës u shndërruan në “apologjetë” të vërtetë të propagandimit të veprës së tij, madje duke bredhur nga një takim në tjetrin e nga një përvjetor në tjetrin, duke mbajtur “ders” e duke rrahur gjoks se si “e kanë patur shok Avdiun”. Por, nejse, ndoshta, këtu edhe nuk ka gjë të keqe. Në këso raste edhe gjëra të tilla lejohen. E drejtë e njerëzve është të vetëdijësohen, të korrigjohen. Jam i bindur, zemra e madhe e Avdiut ata me kohë i ka falur. Fundja, kjo vetëm sa e fuqizon, ia shton madhështinë jetës dhe veprës idealiste, atdhetare të Avdiut.
Nuk di sa kam të drejtë, të nderuar pjesëmarrës të kësaj Akademie, por në fund nuk mund të pëmbahem pa e shprehur edhe një ndjesi dhe bindje timen të forte emocionale: Më duket se gjatë gjithë jetës së tij tejet të shkurtër (45-vjeçare) Avdiu e humbi vetëm një betejë: betejën me vdekjen! Gjithnjë më bëhet sikur ai ka shkuar me një peng në zemër: pse nuk iu dha rasti ta marrë armën në dorë për të luftuar për çlirim e bashkim kombëtar dhe ta shohë Shqipërinë e Bashkuar, e djemtë e tij, Petritin dhe Gjirokastritin, ushtar të ushtrisë shqiptare! Por, ndoshta edhe kjo ka një shpjegim racional të vetin: Vdekja është tinëzare, ajo vjen edhe atëherë kur më së paku e pret.
Lavdi jetës dhe veprës së Avdi Kelmendit!
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!
Rroftë Shqipëria e Bashkuar, synim dhe aspiratë e gjithë popullit shqiptar!
Qemal Aliu



