Austria do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë këtij viti, ka thënë sot kancelari austriak, Christian Kern.
Zgjedhjet do t’i japin një rast të mirë partisë së ekstremit të djathtë, Partisë së Lirisë (FPO), për të hyrë në qeverinë nacionale më pak se një vit pasi kandidati i saj e humbi një luftë të ngushtë në balotazhin presidencial, transmeton Express.
FPO është duke udhëhequr në sondazhe, para Social Demokratëve të Kernit. Por, sondazhet po ashtu sugjerojnë se partia e konservatorëve, Partia e Popullit, do të dalë e para nëse ministri aktual i Jashtëm i vendit, Sebastian Kurz, emërohet lider i saj, siç edhe pritet.
“Përfundimisht do të ketë zgjedhje, dhe them se në vjeshtën që po vjen,” ka thënë Kern në një intervistë për ORF TV.
Deri më tani ai i kishte rezistuar idesë për zgjedhje të parakohshme, duke i bërë thirrje koalicionit që të punonte deri në përfundim të mandatit pas një viti.
Ndërkohë Kurz, 30-vjeçar, është yll në politikën e Austrisë i cili shihet si shpresa më e mirë e partisë së vet për t’ia ringjallur të ardhmen. Lideri aktual i Partisë së Popullit, Reinhold Mitterlehner, njoftoi të mërkurën e kaluar se do të japë dorëheqje, kryesisht për shkak të pamundësisë për t’i ndalur mosmarrëveshjet në mesin e ministrave të tij.
Kurz ka thënë të premten se dëshiron zgjedhje të parakohshme, por se do ta pranonte postin e liderit të Partisë së Popullit vetëm nëse do të kishte edhe pushtet të ri të zgjedhuar në çështjet, përfshirë dhe personelin./Express/


